Saliba si Van Dijk, përgjigjet Arteta: Është lider, më surprizon siguria që ka
Arsenali po zhvillon një sezon fantastik deri tani. Ekipi i Mikel Artetës luan bukur, shënon gola, argëton tifozët dhe fiton ndeshje. Sot zbarkon Liverpooli në “Emirates Stadium”. Sfida e zjarrtë fillon prej orës 17:30 dhe do të transmetohet në SuperSport 2.
Fitorja rikthen Gunners në krye të Premier League, por djemtë e Jurgen Klopp duan të reagojnë pas dy barazimeve radhazi në kampionat dhe mposhtja e tyre nuk do të jetë një mision i thjeshtë. Një ndër surprizat më të bukura të Arsenalit të këtij sezoni është Wiliam Saliba.
21-vjeçari u rikthye në verë tek Arsenali pas huazimit te Marseille dhe gradualisht është rikthyer në liderin e prapavijës së ekipit londinez. Në ishull e cilësojnë si Van Dijk i ri qendërmbrojtësin e kombëtares franceze, krahasim rreth së cilit Arteta deklaroi:
“Jam i kënaqur me mënyrën se si po shprehet për momentin. Mund të them se ai është Saliba, askush tjetër. Ai duhet të mendojë të bëjë karrierën e tij. Jam i kënaqur me të, më pëlqen edhe fakti që luan si lider.
William është vetvetja, ia del të ruajë qetësinë, teksa në të njëjtën kohë ka një siguri të madhe te vetja”, deklaroi trajneri spanjoll, i cili po bën një punë shumë të mirë tek Arsenali.



