Sampaoli: Higuain në botëror? Të shohim
Pasi e la jashtë në 4 takimet e vjeshtës, për eliminatoret e ‘Rusi 2018’, trajneri argjentinas Sampaoli, ende nuk e ka ndarë mendjen për të marrë në botëror sulmuesin e Juventusit, Gonzalo Higuain.
Sampaoli vendosi të lërë jashtë Higuainin edhe për ndeshjen miqësore të 09 nëntorit, ndaj organizatorëve të botërorit, Rusisë, ndërsa nuk i shpëtoi pyetjeve mbi përfshirjen e sulmuesit të bardhezinjve, në listën e lojtarëve që do të marrin pjesë në botëror.
“Higuainin e kam në konsideratë dhe e di se çfarë mund të më japë. Gjithsesi, na mbetet mua dhe stafit tim, të vlerësojmë nëse do të jetë pjesë e futbollistëve që do të na përfaqësojnë në botëror, apo jo”, u shpreh trajneri i Argjentinës.
Nga muaji shtator, Sampaoli ka preferuar të grumbullojë kapitenin e Interit, Mauro Icardin dhe sulmuesin e Boca Juniorsit, Benedetto, sepse mendon se ata i japin më shumë thellësi në sulm, ndryshe nga Higuain që është më teknik dhe qendron më larg portës kundërshtare.



