Sancho: Nuk ka qenë sezoni më i mirë në aspektin personal, vetëm tani jam ambientuar
Jadon Sancho nuk ka qenë në formën e tij më të mirë këtë sezon me Manchester United, ndryshe nga paraqitjet që dhuronte në Bundesligë me fanellën e Borussia Dortmund. Megjithatë, në javët e fundit, infuenca e tij në skuadrën e Djajve të Kuq është shtuar dhe sulmuesi anësor ia ka dalë të asistojë më shumë për shokët e tij, por po ashtu ka gjetur edhe rrugën e rrjetës. Vetë Sancho thekson se tashmë ka nisur të ambientohet me ekipin ndërsa shton se gjatë këtij sezoni ka mësuar shumë.
“Unë jam shumë kritik me veten time dhe me siguri ky nuk ka qenë sezoni më i mirë që kam zhvilluar. Megjithatë, më ka shërbyer për të mësuar shumë. Është një ligë e re, shokë të rinj dhe mund të them se vetëm tani kam nisur të ndjehem tërësisht i ambientuar. Ndihem shumë rehat dhe jam i lumtur”, u shpreh Sancho i cili më pas tregon se në transferimin e tij te Manchester United kanë ndikuar edhe disa prej lojtarëve të Djajve të Kuq.
“Sigurisht që në transferimin tim te United kanë pasur ndikim edhe shokët te kombëtarja pasi i njoh prej vitesh tashmë Jesse Lingard, Rashford, Maguire dhe Shaw. Ata gjithnjë më kanë dashur shumë dhe më ftonin t’i bashkohesha te United”, theksoi 21-vjeçari.



