Sanksionet kundër Rusisë, pronari i Chelsea-t nuk mund të jetojë në Mbretërinë e Bashkuar
Mbërriti në Londër në vitin 2003, bleu Chelsea-n që e shndërroi nga një pretendent të përjetshëm në fitues të çdo titulli të mundshëm në nivel klubesh. Fjalë është për manjatin rus, Roman Abramovich, miqësia e të cilit me Vladimir Putinin do ta pengojë të jetojë në Mbretërinë e Bashkuar apo të aplikojë për nënshtetësinë britanike.
Në vitin 2018 ai e tërhoqi aplikimin e tij për një vizë investitori pasi një ish-spiun rus dhe vajza e tij u helmuan në qytetin e Salisbury, duke shkaktuar tensione të vazhdueshme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë. Abramovich më pas aplikoi për nënshtetësinë izraelite, një pasaportë që e ka përdorur për të vizituar vendin.
Të martën, emri i tij ishte mes 35 oligarkëve të identifikuar nga kreu i opozitës ruse, Alexei Navalny, si mbështetësit kryesorë të Putinit, diçka që Abramovich e mohon.
U shfaq edhe emri i investitorit të Arsenalit, Alisher Usmanov. Parlamenti Britanik mbështeti sanksionet për ta dhe Ministria e Brendshme si dhe agjentët e Emigracionit kanë për mision t’i pengojnë të vendosen në Mbretërinë e Bashkuar.
Abramovich nuk e ka bërë kurrë këtë, pavarësisht se përveç Chelsea-t, zotëron një pallat me vlerë më shumë se 150 milionë euro, jahte luksoze si Solaris (vlerësuar më shumë se 540 milionë euro) dhe kompaninë gjigante të minierave të çelikut, Evraz. Pjesa më e madhe e pasurisë së tij u bë duke blerë dhe shitur asete publike të Bashkimit Sovjetik, kur u shpërbë.
Sekretarja e Jashtme, Liz Truss, shpjegoi në Parlament: “Nëse Rusia refuzon të tërheqë trupat e saj, ne do të duhet të rrisim presionin dhe të synojmë më shumë banka, elita dhe korporata të mëdha. Synimi është të dëmtojmë Putinin dhe të degradojmë sistemin ekonomik rus me kalimin e kohës, duke sulmuar ata që janë afër Putinit”.



