Pas “ngrirjes” nga qeveria, Chelsea penalizohet edhe nga sponsori i fanellës
Sponsori i fanellave të Chelseat, “Three” ka pezulluar marrëveshjen me klubin pasi pronari i saj Roman Abramovich u sanksionua nga qeveria britanike. Kompania e telekomunikaciont filloi të sponsorizojë Chelsean në fillimin e sezonit të kaluar në një marrëveshje me vlerë rreth 40 milionë paundësh në vit dhe logoja e saj shfaqet dukshëm në fanellën e klubit, po ashtu dhe rreth “Stamford Bridge”, por duke nisur nga kjo javë ajo nuk do të shfaqet më.
Kompania njoftoi se po shqyrtohet marrëveshja me klubin londinez, për të ndërprerë kontratën, ndërsa për momentin është pezulluar përkohësisht marrëveshja. Në kuadër të masave të marra nga qeveria kompania ka nisur procedurat për të ndërprerë përfundimisht kontratën e sponsorizimit thuhet në njoftimin e kompanisë Three.
Edhe pse Roman Abramovich ka deklaruar se ka nisur procedurat për të shitur klubin pas pushtimit që Rusia ka nisur ndaj Ukrainës, kjo gjë nuk ka mjaftuar për kompaninë e sponsorizimit për të pritur zhvillimet. Mbetet për tu parë se sa do të ndikojë një lëvizje e tillë tek skuadra e Chelsea, që në ditët e ardhshme mund të ketë të tjera probleme financiare.



