Santos i drejtpërdrejtë: Koha për fitore, s’dua individualistë te Portugalia
Portugalia është gati për sfidat e fazës “play-off” të Katar 2022. Kombëtarja luzitane do të presë Turqinë në “Estadio do Dragao” (24 mars). Nëse fiton Portugalia luan sërish në shtëpi pesë ditë më vonë kundër fituesit të çiftit Itali-Maqedonia e Veriut.
Trajneri Fernando Santos dha një mesazh për lojtarët e tij në prononcimin për mediet gjatë prezantimit të listës së 25 lojtarëve të grumbulluar për këto ndeshje tepër të rëndësishme.
“Ka ardhur momenti të fitojmë. Kualifikimi në Botëror është objektivi ynë, çdo gjë tjetër ka fare pak rëndësi. Nevojitet të jemi shumë të përqendruar në këto dy takime, kemi shumë dëshirë që të jemi në Katar.
Do të përcjellim ide të qarta në mënyrë që lojtarët të shprehen sa më mirë. Këtë do të bëjmë nga e hëna. E përsëris: duhet të fitojmë. Objektivin duhet ta realizojmë për vetën dhe për popullin portugez.

Biletat e stadiumit janë shitur të gjitha, kjo është një demonstrim i forcës dhe pasionit të tifozëve. Duhet të mendojmë më pak individualisht, le të fokusohemi tek e mira e skuadrës. Duhet të bazohemi te talenti ynë për të fituar. Talenti fiton ndeshjet, skuadra fiton kampionatet. Lojtarët e dinë shumë mirë këtë.
Turqia? Ata kanë lojtarë cilësorë, të cilët luajnë në ligat kryesore të Europës. Ata janë shumë agresivë dhe përpiqen të prishin lojën e kundërshtarëve. Fakti që do të luajmë në shtëpi na bën favoritë. Nuk mund të mendojmë se jemi më të mirët në botë, por as nuk mund ta stresojmë veten. Kemi nevojë për qetësi”, deklaroi Fernando Santos.
Sa e njihni La Ligën?
Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...



