Sarri elozhe për Higuain: Është futbollist dhe njeri i mrekullueshëm
Vetëm pak ditë më parë doli në skenë një shkëmbim i mundshëm sulmuesish mes Milanit dhe Chelseat, me Gonzalo Higuani që mund të niset drejt Londrës dhe Alvaro Moratën që mund t’u bashkohet kuqezinjve.
Në konferencën për shtyp të ditës së djeshme, ka qenë tekniku i bluve të Londrës, Maurizio Sarri ai që “i ka hedhur benzinë këtij zjarri” të merkatos, duke pranuar simpatinë për ish sulmuesin e Juventusit, që aktualisht vesh fanellën kuqezi.
“Higuain më pëlqen shumë, pasi është një futbollist dhe njeri i shkëlqyer, por nuk dua të flasë për të, sepse kam në dispozicion dy sulmues e gjysmë dhe për më tepër, Pepita luan te Milani”, deklaroi Sarri të premten në mbrëmje.
Gjithsesi mjafton fakti që ish tekniku i Napolit nuk e ka humbur simpatinë për bomberin që shënoi plot 36 gola te napolitanët, kur punonte bashkë me Sarrin dhe mundësia e një shkëmbimi bëhet gjithnjë e më reale.
Për më tepër, Higuain nuk po gjen stimujt e duhur te Milani dhe kjo është reflektuar edhe në cilësinë e lojës së tij, ndaj kuqezinjtë do të ishin të lumtur ta largonin, për të marrë një si Morata, që është i ri dhe me dëshirë për të bërë mirë.



