Serie A

Sarri: Juvja ka 90 milionë më pak, por ka marrë një fenomen

Maurizio Sarri doli i humbur nga ‘ringu’ i “San Paolos”, duke shënuar disfatën e parë në këtë arenë, pas 9 muajve. Juventusi, që çoi në shtëpi 3 pikët e merituara, tashmë e sheh veten të renditur në vendin e dytë, me një diferencë prej vetëm një pike ndaj kryesuesve, Napolit. Tekniku i të kaltërve Maurizo Sarri deklaron se kjo ishte një humbje e dhimbshme për Napolin dhe gjithë tifozët e tij.

“Nuk mendoj se ekipi u shfaq i lodhur në fushë, sepse po të ishte kështu, nuk do të kishim dominuar në zonën e Juves, duke i mbyllur ata për një kohë aq të gjatë. Edhe pse tentuam dhe luajtëm, sërish në këtë ndeshje nuk ishim brilantë, nuk arritëm të shkëlqenim. Problemi në këtë rast është që edhe pse në superioritet, sërish nuk e përkthyem supremacinë në gol”, tha trajneri i napolitanëve

Me këtë humbje të Napolit 0-1, Juventusi afrohet në -1 pikë, Roma me -3, ndërkohë që mbrëmjen e të dielës Interi do të tentojë të bëjë përmbysjen e klasifikimit, duke marrë kryesimin.

“Inter, Roma dhe Juve janë skuadra dukshëm më të forta se ne. Kush flet për një Napoli favorit për këtë kampionat, gabohet. Ne jemi një skuadër që punon shumë fort, kjo është e gjitha, pjesa tjetër nuk ka vlerë për ne, pasi bëjmë më të mirën e mundshme”, u shpreh Sarri.

Deklarata modeste e Sarrit, dukshëm e ndikuar nga kjo disfatë, gjithsesi nuk e mohon faktin se Napoli i tij është një ndër ekipet më të vështira për t’u mundur në Serinë A. E pamundur për të mos u prekur edhe argumenti Higuain.

“Higuain është shumë i zoti. Juventinët kanë 90 milionë më pak, por morën 3 pikët e ndeshjes, sepse kanë në strukturë një fenomen. Gjithashtu mund të them se me napolitanët jam gjithmonë dakord, por në këtë rast mendoj se vërshëllimat ndaj Higuainit ishin të padrejta”, tha tekniku i Napolit.

Performanca e napolitanëve duket se pësoi një krisje, por për një skuadër të mirë-strukturuar si ajo e Sarrit, gjasat janë që shumë shpejt sukseset e radhës ta lënë pas atë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency