Sarri mohon kontaktet me klubet italiane dhe konfirmon dëshirën për të vijuar me Chelsean
Emri i Maurizio Sarrit është ndër më të lakuarit për pankina të shumta në Itali, duke filluar nga Juventusi, e deri te Roma e Milani, që kanë ndërmend të bëjnë ndryshime në fund të sezonit.
Megjithatë ish trajneri i Napolit vijon të jetë i përqendruar te Chelsea, pasi me londinezët do të diskutojë finalen e Europa Leagues përballë skuadrës tjetër të qytetit, Arsenalit.
“Jam i përqendruar te finalja e Europa Leagues përballë Arsenalit dhe nuk kam ndjekur zërat e merkatos, Unë kam një marrëveshje dy vjeçare me Chelsean dhe akoma nuk ka përfunduar viti i parë, por mund t’ju them se jam shumë i kënaqur këtu dhe dëshiroj të vazhdoj. Megjithatë pas finales do të flas edhe me drejtuesit, pasi duhet që edhe ata të jenë të kënaqur me mua”, tha Sarri.
Trajneri mohoi zërat se dëshiron të kthehet në Itali, duke argumentuar se futbolli i tij mund të aplikohet mjaft mirë në Angli dhe se me një mënyrë të ngjashme loje, Manchester City ka dy vite që triumfon në Premier League.
“Nuk është e vërtetë që më mungon Italia. Unë jam një profesionist dhe dua të aplikoj futbollin tim, gjë që është e mundur edhe këtu në Angli. Mjaft të shikoni që prej dy vitesh dominon Manchester City, që aplikon një futboll të ngjashëm me timin dhe mund të bindeni që edhe ne te Chelsea mund t’ia dalim”, deklaro Sarri, që gjithsesi nuk e fshehu kënaqësinë që i jep fakti se skuadra të ndryshme në Itali, e kanë nën vëzhgim.



