Sarri: Skuadra ka marzh të lartë përmirësimi, renditja e Genoas është gënjeshtare
Pas gjysmë-hapit fals të shtunën në transfertën ndaj Lecces, Juventusi do të kërkojë rikthimin te fitorja nesër në mbrëmje, kur në “Allianz Stadium” do të gjejë përballë Genoan e rilindur me uljen e Thiago Mottës në stol.
Trajneri Maurizio Sarri, në konferencën e zakonshme për shtyp tha se është i kënaqur me lojën e skuadrës, por bëri thirrje për kujdes ndaj Genoas, duke shtuar se renditja është e gënjeshtërt dhe se kuqeblutë janë një ekip më i fortë.
“Skuadra po shprehet mirë dhe për më tepër, as rezultatet nuk na kanë munguar. Futbollistët janë përshtatur shumë shpejt me idenë time të lojës, ndonëse duhet të pranojmë se kemi ende situata për të perfeksionuar. Ndaj Genoas duhet të bëjmë kujdes, pasi është një skuadër që mund të na hapë shumë punë. Në rastin e tyre, renditja është e gënjeshtërt dhe për më tepër, vijnë me entuziazëm të lartë, pas ndryshimit në pankinë”, tha Sarri.
Tekniku i bardhezinjve foli më pas edhe për situatën me dëmtimet e lodhjen, duke njoftuar se është rikuperuar Douglas Costa, por ka dyshime për prezencën e Higuain dhe Pjanic, ndërsa njëri mes Bonuccit dhe De Ligt mund të bëjë pushim.
Do të shohim seancën e pasdites së sotme, për të marrë vendimet finale, por Pjanic mund të jetë gati, ndryshe nga Higuain, që më shumë është jashtë. Douglas Costa është stërvitur plotësisht me skuadrën dhe mendoj se mund të luajë disa minuta, pasi vjen pas një mungese prej më shumë se 45 ditësh. Bonucci e De Ligt kanë luajtur vazhdimisht, ndaj mendoj se njëri prej tyre duhet të çlodhet nesër”, deklaroi trajneri i Juves.



