Sarri “thumbon” Conten: Skuadra nuk kishte përgatitjen e duhur taktike
Maurizio Sarri po kalon një moment mjaft të mirë në stolin e Chelseat, në atë që është edhe aventura e parë jashtë Italisë, për ish trajnerin e Napolit.
Blutë e Londrës po luajnë mjaft bukur dhe mbi të gjitha, por korrin rezultate pozitive, gjë që ka befasuar edhe vetë Sarrin, i cili pranon se nuk kishte krijuar këto pritshmëri dhe “thumbon” paraardhësin e tij, Antonio Conte.
“Të them të drejtën nuk e prisja një përshtatje kaq të shpejtë, pasi kudo ku kam shkuar, dy muajt e parë kanë qenë të vështirë. Megjithatë skuadra është përgjigjur mjaft mirë, ndonëse nuk kishte përgatitjen e duhur taktike”, deklaroi tekniku.
Loja e Sarrit pëlqehet shumë në Angli, ndaj jo më kot tekniku shijon duartrokitjet e tifozëve pas çdo ndeshjeje, ndërsa së fundi është shpallur edhe trajneri i muajit, për Tetorin.
“Nuk më interesojnë çmimet personale, pasi duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Kemi shumë punë për të bërë, pasi punojmë për të ngritur lart emrin e Chelseat dhe jo tonin personal”, u shpreh Maurizio Sarri.



