Sekreti i Milanit të Gattusos, mendje dhe këmbë të forta
Mendje dhe këmbë të forta. Me këto dy lëvizje Rino Gattuso solli një ndryshim prej 360 gradësh në 94 ditë te kuqezinjtë e Milanit. Koncepte të thjeshta që gjetën terrenin e duhur dhe bënë që Milani të rikthehet në një prej skuadrave më të rëndësishme të momentit. Të gjithë lojtarët paraqesin një formë fizike si kurrë më parë, kjo falë edhe stërvitjes intensive dhe mjaft të vështirë të menduar nga Gattuso, i cili nga ana e tij është i gatshëm që të gjitha meritat t’ua atribuojë lojtarëve të tij. Në këto tre muaj kalabrezi 40-vjeçar ka punuar shumë për përgatitjen fizike dhe rezultatet janë të dukshme për të gjithë, Milani është i gjallë dhe sërish krenar.
Por nëse aspekti fizik ka një pjesë bazike në këtë sport, nuk vlen më pak edhe ajo psikologjike. Këmbë të forta dhe mendje të shëndoshë e të mirëmotivuar, që ecin paralelisht për të dhënë maksimumin, ky është slogani i italianit Gattuso, që nuk ka nevojë për një diplomë në psikologji, sepse është një psikolog i lindur, një motivues i talentuar. Me këtë trajner grupi ka rilindur, Bonucci rigjeti ekuilibrin e tij, ndërkohë që Biglia dhe Calhanoglu kanë rilindur në kuptimin parë të fjalës. Detyrë për teknikun mbetet ende rikuperimi i Kalinic dhe André Silvas, takimi i të cilëve me golin mungon prej kohësh. Tashmë kjo skuadër kompakte me një mbrojte të konsoliduar “fluturon” drejt derbit të së dielës me lodhjen fizike që do të lihet pas nga entuziazmi i madh që shoqëron gjithnjë këtë supersfidë.



