Selmani: Europa objektiv i Laçit, shpresoj të luaj jashtë
Gentian Selmani u bë hero i Laçit ditën e djeshme, pasi arriti t’i mohojë golin në disa raste Kukësit, duke bërë që sfida mes dy skuadrave të përfundonte në barazim pa gola.
Portieri dhe kapiteni i kurbinasve ishte mbrëmë në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, ku foli për momentin e mirë që po kalon, por edhe planet e pritshmëritë për të ardhmen.
Cila është skuadra juaj e zemrës në Europë?
Unë kam qenë tifoz i Milanit që i vogël dhe vijoj ta ndjek me të njëjtin pasion
Sa i rëndësishëm është një portier?
Është shumë i rëndësishëm, sepse sjell edhe siguri për pjesën tjetër të ekipit.
Na trego pak emocionet e ndeshjes së sotme ndaj Kukësit…
Donim që të merrnim 3 pikë, por ishte ndeshja e parë, ndaj edhe barazimi është i kënaqshëm. Patëm rastet tona, shpresojmë të vazhdojmë të marrim sa më shumë pikë në vazhdim.
E kishit strategji të mbroheshit?
Duke parë se Kukësi ka elementë cilësorë, ka bërë edhe blerje, duhet të tregoheshim të kujdesshëm. U munduam të qëndrojmë kompakt si ekip dhe t’i kapnim në kundërsulm.
Ju mungon diçka si skuadër… ndoshta në sulm?
Sulmi është pikë referimi dhe duke bërë gola fitohen ndeshjet. Ekipi ka bërë 2 blerje të reja, shpresoj të vijnë e të na ndihmojnë.
Si i keni marrëdhëniet me Esat Malën?
Ne njihemi që 16 vjeç, me U-16 e Shqipërisë. Që atëherë, kemi pasur edhe grumbullime të tjera. Kemi marrëdhënie të mira. Mala është cilësor në mesfushë, por nuk do e lejoj të shënojë.
Kukësi apo Partizani, cili mendoni se meriton ta fitojë garën për titull?
Nuk mund t’i ndaj, të dyja janë ekipe të forta. Ta fitojë më i miri. Ne duhet të kapim njëherë Europëm, të rrimë me këmbë në tokë, më pas nëse vjen edhe kampionati, nuk i themi jo.
A ka ardhur momenti për një aventurë jashtë?
Shpresoj, nëse do ketë një mundësi të mirë, të lëviz. Për momentin, jam fokusuar të bëj stërvitje sa më mirë këtu. E mirëpres, nëse vjen një mundësi.
Sa e vështirë është të ndalosh një futbollist si Mala, të saktë para porte?
E vështirë, sepse janë lojtarë që nuk e pret të godasin. Ne mund të studiojmë sulmuesit, por ata që vijnë nga pas shpine janë më të vështirë.



