Kategoria Superiore

Senatorët dhe çështja Trashi, Partizani nuk gjen qetësi

Situata te Partizani nuk duket aspak e qetë pas largimit të 3 senatorëve, çështjes “Trashi” dhe merkatos jo të qartë që po zhvillon klubi i kuq. Përplasja mes Starovës dhe Trashit në Turqi ishte pika që mbushi gotën dhe detyroi drejtuesit e klubit të merrnin një vendim drastik.

Për teknikun u vendos masa e gjobës, ndërkohë që mesfushori u adresua në skuadrën e dytë, Partizani B. Një vendim i tillë nuk u prit aspak mirë nga ana e lojtarit, i cili ka kundërshtuar masën duke bërë me dije se nuk do ta pranojë një gjë të tillë, edhe nëse sakrifikon tribunën për pjesën e mbetur të sezonit.

26-vjeçari tashmë rrezikon të jetojë si i përjashtuar në shtëpinë e kuqe, një situatë aspak komode për të, por edhe për vetë klubin që brenda pak ditëve kanë humbur kolonën e skuadrës dhe nuk kanë arritur ende të konkretizojnë goditje të rëndësishme në merkaton që mbyllet pas rreth 10 ditësh.

Trashi është një prej emrave më të lakuar të ditëve të fundit në merkato dhe në rast të largimit të mundshëm nga Partizani, nëse të dyja palët bien dakort, lojtari i lindur në Gramsh është gati të nisë një aventurë të re, pasi interesimi i Skënderbeut, Flamurtarit dhe Kukësit ,që po monitorojnë situatën, mbetet i madh.

Situata bëhet serioze nëse llogaritet këtu fakti që pjesa e dytë e sezonit starton të premten. Pas largimit të 3 senatorëve, Vila, Krasniqi dhe Malota, të kuqtë ende nuk kanë bërë ndonjë goditje cilësorë për të përballuar ngarkesën për pjesën e mbetur të kampionatit, sigurisht dhe atë të Kupës së Shqipërisë, kompeticion ku për shkak të renditjes është shndërruar në objektivin primar për këtë sezon.

Në këtë prizëm, ditët e mbetura janë vendimtare për fatet e skuadrës së Sulejman Starovës që rrezikon të mbetet jashtë çdo objektivi sezonal.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency