Sërish grup ferri për Interin, probleme edhe për Juven e Chelsea-n
Grup ferri sërish për Interin në Uefa Champions League. Ashtu si një vit më parë edhe këtë herë, zikaltërit do të masin forcat me Barcelonën por edhe me Borussian e Dortmundit dhe Slavian e Pragës. As një ish-interist si Wesley Sneijder fitues i Championsit në 2010-ën me zikaltërit nuk i solli fat skuadrës së Antonio Contes që në shortin e fazës së grupeve të hedhur në Montecarlo peshkoi dy rivalë shumë të fortë si Barça dhe Dortmundi. Edhe pse këtë herë Interi ishte në vazon e tretë shorti nuk u tregua aspak bujar me zikaltrit që tashmë duhet të luajnë me Dortmundin për vendin e 2-të, pasi Barcelona si kokë grupi është e avantazhuar për të dalë e para.
Grupi F duket ai më interesanti por në një grup të vështirë bën pjesë edhe Juventusi që u shortua ndaj Atleticos së Madridit, Bayer Leverkusen dhe Lokomotivës së Moskës në grupin D. Në grupin A ndërkohë janë gjithashtu dy superskuadra si Paris Saint Germain dhe Real Madrid, gjithsesi dy rivalët e tjerë janë mëse të kalueshëm pasi parizienët dhe Los Blancos kanë në grup edhe Club Brugge e Galatasaray-in. Në grupin B, Bayerni do të vuajë jo pak ndaj Tottenham Hotspur, Olympiacosit dhe Crvena Zvezdës. Me fat Manchester City që u shortua me skuadra të tilla si Shakthar Donetsk ashtu si një vit më parë por edhe me Dinamon e Zagrebit e Atalantën në grupin C. Në grupin Liverpooli do të masë forcat sërish me Napoli por edhe Salzburgun e Genk. Në grupin G bëjnë 4 skuadra të të njëjtit nivel si Zenit, Benfica, Lyon dhe Leipzig, ndërsa interesant është edhe grupi H me Chelsean, Ajaxin, Valencian dhe Lille.




