Kategoria Superiore

Sërish Laçi–Luftëtari, këtë herë për Europën

Nëse në pjesën e parë të sezonit Laçi dhe Luftëtari ishin dy skuadra të rrezikuara për të rënë nga kategoria, java e 20 i sheh në një duel direkt për të qenë në kontakt me zonën europiane.

Ndryshimi i trajnerëve tek të dy ekipet ka rezultuar vendimi i duhur, pasi sot bardhezinjtë dhe bluzinjtë janë të distancuar nga zona e rënies, duke shtuar oreksin për të arritur diçka më shumë.

Kurbinasit kanë arritur të fitojnë dy ndeshjet e çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë përballë gjirokastritëve, por në transfertën e fazës së parë ishte pikërisht Kristal Abazaj ai që i dhuroi fitoren Luftëtarit.

Trajneri Gentjan Mezani duhet të bëjë në këtë 90-minutësh pa goleadorin Arturo Fait Reginaldo, i cili ka plotësuar numrin e 4 kartonëve të verdhë, ndërkohë që në krahun tjetër Hasan Lika nuk ka në dispozicion mbrojtësin Lejdi Liçaj, që u ndëshkua me karton të kuq fundjavën e kaluar ndaj Teutës.

Kurbinasit nuk fitojnë në kampionat prej 22 dhjetorit të vitit të shkuar, teksa 2018-a ka sjellë si dhuratë për ta humbjen me Kamzën dhe dy barazime. Krejt ndryshe vjen Luftëtari që ka 7 ndeshje pa humbje, çka nuk ndodh që nga viti 2001, duke regjistruar 5 fitore dhe 2 barazime në kampionat.

Trajneri kryeqytetas i gjirokastritëve beson shumë tek talentet e sulmit, me 3-shen Abazaj – Bregu – Rroca në super formë, në mbështetje të ish sulmuesit të përfaqësueses së 21-vjeçarëve të Shqipërisë, Vasil Shkurtaj.

Përballjet e fundit midis tyre kanë dhuruar gjithmonë emocione dhe nga ky rregull nuk bën përjashtim as 90-minutëshi i radhës, me dy skuadrat të cilat synojnë fitoren që mund t’i japë biletën për në Europë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency