Sevilla/ Brenda klubit inovativ spanjoll që shfaqet si pretendent për titull
Sulmuesi legjendar brazilian, Ronaldo u shfaq befasisht në ekranin e stadiumit “Ramon Sanchez Pizjuan për t’i uruar mirëseardhjen në klubin e Sevillas, francezit Anthony Martial, teksa një risi si kjo “fotografoi” më së miri rritjen e andaluzianëve si në fushën e lojës, ashtu edhe në aspektin e reputacionit.
Kalibri i lojtarit që u prezantua me andaluzianët, është vërtetë emocionues për klubin e Sevillas, teksa për këtë operacion drejtori sportiv Monchi kishte dy muaj që punonte dhe marketingu bëri më të mirën për ta prezantuar në një mënyrë të denjë, duke konfirmuar rritjen në të gjitha sektorët.
Sevilla do të rikthehet në luajë në kampionat këtë fundjavë ndaj Osasunës në transfertë, teksa në La Liga mban vendin e dytë me 4 pikë diferencë nga Reali kryesues, të cilat shpreson t’i rikuperojë për të fituar titullin kampion për herë të parë që prej 1946-ës.
Kjo do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për një klub që, pavarësisht se u bë “mbreti” i Europa Leagues, duke e fituar 6 herë këtë shekull kompeticionin e dytë më të rëndësishëm të kontinentit, nuk po arrin të thyejë dominimin e Realit, Barcelonës dhe Atleticos në kampionatin spanjoll.
Andaluzianët kanë evoluar ndjeshëm ndër vite dhe sidomos kohët e fundit, gjë që e konfirmon edhe Ivan Rakitic, i cili u rikthye të veshë fanellën e Sevillas pas 6 sezonesh me Barcelonën, ku fitoi vërtetë shumë.
“Kur u ktheva, u befasova nga hapat e mëdhenj që kishte bërë klubi. Niveli i ekipit dhe lojtarët që mund të vijnë te Sevilla sot, janë shumë më ndryshe nga 7-8 vite më parë. Gjithë këta lojtarë të mëdhenj, të gjithë duan të jenë pjesë e Sevillas”, u shpreh kroati.

Ivan Rakitic është kapiteni i parë jo spanjoll i Sevillas, që nga koha e Diego Armando Maradonës në 1993-shin dhe tregon me krenari se si mbrojtësi Diego Carlos refuzoi një super-ofertë nga Newcastle, për të vijuar të luajë me andaluzianët.
“Tani gjërat kanë ndryshuar shumë, pasi Sevilla lufton për të fituar në të gjithë kompeticionet ku merr pjesë dhe lojtarët nuk duan të largohen në klube të tjera. I tillë është edhe rasti i Deigo Carlos, që refuzoi një super-ofertë nga Newcastle, pasi dëshiron të qëndrojë në një klub që investon për të sjellë emra të mëdhenj si Anthony Martial”, u shpreh Rakitic.
Ish portieri rezervë i skuadrës, tashmë në rolin e drejtorit sportiv, Monchi është padyshim një nga arkitektët e Sevillas dhe Rakitic e cilëson si njeriun më të rëndësishëm në klub, që jeton 24 orë me skuadrën dhe që ndikoi padyshim për ta sjellë kroatin në Spanjë, nga Schalke 04 në 2011-ën.
“Këtu është vendi ku presidenti dhe Monchi po punojnë në mënyrë të përsosur. Kur fillova të punoja me Monchin, mbeta vërtetë i impresionuar. Ai më fliste me detaje për të gjithë ndeshjet e mia te Baseli, mënyrat e lëvizjes dhe gjithçka për mënyrën time të lojës. Duke njohur mjaft mirë detajet e të gjithë futbollistëve, ai e di mirë se çfarë lojtari duhet të sjellë në ekip. Monchi nuk sjell futbollistë për skuadrën, por për familjen që ka ndërtuar me shumë kujdes”, shprehet Rakitic.

Monchi e mori Sevillan 22 vite më parë dhe është larguar vetëm për një periudhë të shkurtër kohore te Roma, teksa gjatë kësaj kohe ka ndihmuar në shndërrimin e andaluzianëve në një nga klubet më të pasura në Europë, sa i përket sistemit mbresëlënës të të rinjve, rrjetit të gjerë të skautizmit dhe rekrutimin mjeshtëror.
Drejtori Sportiv i Sevillas llogarit ende brazilianin Dani Alves, si operacionin më të mirë të merkatos, pasi e mori nga brazilianët e Bahias dhe e shiti 6 vite më vonë te Barcelona, megjithatë ndër vite klubi ka shitur shumë prej aseteve, për të riinvestuar dhe mbushur arkat.
Por tani situata duket se ka ndryshuar dhe kjo konfirmohet nga merkatoja e janarit, ku jo vetëm u afrua një lojtar si Martial, por edhe mbrojtës si Koun de e Diego Carlos nuk u larguan pavarësisht ofertave të panumërta nga klubet më në zë të Europës.
“Kounde dhe Diego Carlos janë nga mbrojtësit më të mirë në Europë dhe kanë padyshim kontributin kryesor që ne të kemi mbrojtjen më të mirë të kampionatit. Unë i kam të gjithë lojtarët si fëmijët e mi, u qëndroj pranë tërë kohës dhe i vlerësoj maksimalisht, pasi i kemi rritur pikërisht ne si klub”, shprehet Monchi.
Strategjia e merkatos për Sevillan nuk ka ndryshuar, por Monchi pranon se gjatë janarit nuk erdhi asnjë ofertë në nivelin e pritshmërive, teksa shpjegon edhe investimet që klubi bën, për të siguruar rritjen e vazhdueshme.
“Sigurisht që ne jemi ende një klub i vogël në aspektin financiar dhe nuk mund t’u garantojmë lojtarëve, atë që ua ofrojnë skuadra të tjera në Europë, por në janar nuk erdhi asnjë ofertë joshëse. Nga ana tjetër ne kemi nënshkruar vazhdimisht me lojtarë cilësorë, si Suso, Papu Gomez dhe së fundi Martial e Corona, të cilët do të sigurojnë rritjen e vazhdueshme të klubit”, u shpreh drejtori sportiv i Sevillas.
Një zhvillim mjaft i rëndësishëm në mënyrën e rekrutimit të Monchit, është pikërisht përdorimi i të dhënave dhe inteligjencës artificiale, teksa Sevilla ka ndërtuar edhe një departament pikërisht për këtë aspekt.
“Jam i dashuruar pas të dhënave, shifrave dhe analizave, ndaj mund të flas për orë të tëra për këtë çështje. Ne kemi aplikacione të veçanta futbolli dhe po ndihmojmë jashtëzakonisht shumë skautët tanë, që të jenë sa më efikasë në përzgjedhje. Kjo padyshim që ka pasur impaktin e vet ndër vite dhe po na ndihmon të rritemi gjithnjë e më shumë.
Një nga zgjedhjet më të mira të Monchit dhe që po e ndihmon shumë Sevillan jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, është padyshim Julen Lopetegiu, ish trajner i Spanjës dhe Realit të Madridit, i cili po bën një punë mjaft të mirë.
“Kur firmosa me të, kisha në mendje një “fotografi” të mënyrës si ai punon, por deri tani ka dalë shumë herë më mirë. Është një njeri i përkushtuar, që jeton me futbollin, punon në një klub ambicioz, por vetë është akoma edhe më ambicioz. Është një përshtatje e përsosur për Sevillan, pasi dëshiron të përmirësohet vazhdimisht dhe rritet bashkë me klubin”, deklaroi Monchi.

Tifozët e Sevillas janë në një valë optimizmi dhe emocionesh, me perspektivën për t’i dhënë fund pritjes prej më shumë se 7 dekadash për titullin kampion, teksa në një moment kyç të sezonit, skuadra ia ka dalë të rikuperojë të gjithë të dëmtuarit dhe të mposhtë koronavirusin.
Nga ana tjetër, planet e klubit janë që së shpejti të nisin rikonstruksionin e stadiumit mitik “Ramon Sanchez-Pizjuan” dhe të ndërtojnë një kompleks model për skuadrën e parë, që do të përfshijë jo vetëm fushat stërvitore, por edhe restorantin, hotelin, pishinën dhe palestrën moderne.
“Ne po përpiqemi të sfidojmë dhe thyejmë “status quo”-në, duke treguar se si një klub mund të arrijë më shumë, ndonëse me më pak para. Ky është një ekip që nuk dorëzohet kurrë dhe ambicia jonë është të shkojmë sa më lart. Pavarësisht se erdhi në huazim, Martial është shumë i rëndësishëm për ne dhe video-mesazhi i Ronaldos në prezantim, është një moment që tregon se si në klub po punojnë të gjithë me të njëjtin vizion”, shprehet drejtori i përgjithshëm Jorge Paradela.



