Sezon i çuditshëm për Tiranën, Shehi e rikthen pretendente për titull
Sezoni 2020-2021 po shfaqet si një prej edicioneve me më shumë rivalitet të 7-8 viteve të fundit në mos më tepër, pasi ishin 4 skuadra që luftonin për titull dhe tashmë janë 5.
Tirana kampione e Shqipërisë, në një sezon të çuditshëm ku ndryshoi 2 trajnerë dhe aktualisht ka të 3-in, është rikthyer në garën për titull duke qenë vetëm 5 pikë nga dy ekipet kryesuese. Fitorja ndaj Apolonisë nuk ishte e thjeshtë, në fakt në këtë sezon fitore komode nuk ka patur thuajse për asnjë ekip, por ishin tri pikë tej mase të rëndësishme.
“I duhet dhënë Çezarit atë që i takon Çezarit”, pasi Orges Shehi mori drejtimin e skuadrës me një diferencë prej 16 pikësh nga vend i parë, dhe në vetëm 9 ndeshje në drejtimin e bardhebluve i ka rikuperuar kreut të renditjes 11 pikë. 6 fitore, asnjë barazim dhe 3 humbje që edhe mund të qëndrojnë sepse kanë ardhur në derbi dhe kundër Teutës e Kukësit.
Taulant Seferi është një pikë referimi, krijon hapësira për shokët e skuadrës dhe është mjaft efikas në fazën sulmuese. Idriz Batha është goleadori i ekipit, shënon, lufton dhe bën gjithçka që një kapiten duhet të bëjë.
Rikthimet e Çelhakës, Kales e Torasës i kanë dhënë një shtysë të madhe bardhebluve. Sezonin e shkuar Tirana realizoi një mrekulli sepse në dhjetor kur Egbo u ul në stol, bardheblutë ishin në vendin e 8-të e më pas historia është tashmë e njohur. E kush ka thënë që mrekullitë nuk ndodhin dy herë?!!



