Sezoni i ri nis nga Drenasi, Starova e Magani “përplasen” që në start
IPKO Superliga do të ngrejë siparin sot në orën 16:45 me sfidën që do të luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në Drenas, mes Feronikelit vendas dhe Trepçës ’89.
Të dy skuadrat kanë zhvilluar një merkato mjaft të mirë dhe vijnë me pretendime në këtë sezon, ku synimet minimale janë që të sigurojnë pjesëmarrjen në ligat europiane.
Vlen të theksohet se Feronikeli është kampioni i Kosovës në vitet 2014-2015 dhe 2015-2016, ndërsa Trepça ’89 në edicionin pasardhës 2016-2017, për t’i lënë radhën Dritës së Gjilanit në sezonin që u mbyll këtë verë.
Që të dy skuadrat kanë në krye trajnerë nga Shqipëria, me Sulejman Starovën që drejton Feronikelin që nga muaji mars dhe Gugash Maganin, që ka marrë drejtimin e Trepçës ’89 në fillim të vitit.
Sezonin që sapo lamë pas, skuadra nga Mitrovica e mbylli në vendin e katërt me 53 pikë, ndërsa ajo nga Drenasi në vendin e pestë me 48 pikë. Ky takim do të transmetohet në Supersport 4, ndërsa e gjithë IPKO Superliga do të vijë ekskluzivisht në ekranin e SuperSport, gjatë gjithë sezonit.



