Sfida më të kuqtë, provë karakteri për Skënderbeun
Përballja me Partizanin vjen në momentin e duhur për Skënderbeun, që duhet të tregojë forcë karakteri. Kampionët nuk kanë patur një ecuri të mirë në fazën e tretë, pasi kanë regjistruar vetëm 10 pikë, ku përfshihen edhe 3 pikët e fitores në tavolinë me Kamzën. Me objektivin për të siguruar zonën europiane, korçarët shpresojnë në një sprint final ashtu si starti, të fuqishëm me lojë dhe rezultate.
Në aspektin psikologjik, një përballje me rivalët e viteve të fundit i shërben ambientit për t’u rikthyer në objektivat e vendosur, për më tepër që ky 90-minutësh është përjetuar gjithmonë me doza të larta emocionale. Skënderbeu ka mundësinë të tregojë forcën e karakterit ndaj një kundërshtari që i ka marrë titullin kampion pikërisht në sprintin final. Madje, për koicidencë, fitoren e fundit në transfertë skuadra e Orges Shehit e ka pikërisht në “Selman Stërmasi” ndaj partizanit më 19 tetor të vitit të kaluar. Që nga ai sukses, Skënderbeu ka grumbulluar vetëm dy pikë larg Korçës, me 6 humbje që rëndojnë shumë bilancin në renditjen e kampionatit.
Në favor të stafit teknik është fakti që skuadra nuk ka vuajtur shumë ngjeshjen e kampionatit, pasi këtë fundjavë nuk luajti falë përballjes me Kamzën si në kupë edhe në kampionat. Shehi tashmë ka në dispozicion të gjithë lojtarët për të synuar një nisje sa më të mbarë të fazës së fundit. Futbollistët nuk kanë më alibi, pasi dueli me Partizanin është provë karakteri edhe për ata.



