Kategoria Superiore

Sfidë mbijetese në Kamëz, Vllaznia kërkon suksesin e radhës ndaj Skënderbeut

Në krahët e entuziazmit të një serie pozitive që zgjat prej 5 ndeshjesh, Vllaznia kërkon një tjetër konfirmim për të bërë një tjetër hap të rëndësishëm për të shkurtuar distancat me kreun përballë Skënderbeun.

Fitorja e fundit ndaj Partizanit, ku mbrojtën rezultatin në një sfidë sakrifice me 10 lojtarë ka karikuar ambientin shkodran, që i duhet të përballet me një sfidë vështirësie të një tjetër lloji, për vetë karakteristikat që ofron Skënderbeu.

Skuadra e Memellit ka krijuar fizionominë e një skuadre që mendon mirë për mbrojtjen, dhe kërkon goditjen në kundërsulm falë shpejtësisë së sulmuesve që ka në dispozicion. Për Vllazninë një test i rëndësishëm për të parë se si do t’ia dalë ndaj një kundërshtari të tillë.

Mungesa të rëndësishme në kampin shkodran , ku nuk do të jenë dy elementë vendimtarë për lojën e skuadrës, Krymi që u sakrifikua me karton të kuq ndaj Partizanit, duke merituar madje elozhet e trajnerit, dhe kapiteni Gurishta dhe është tejet interesante se si do të sillet Vllaznia në fushë pa dy nga kolonat e lojës kuqeblu, për Brdariç ndërkohë rikthehet Aralica.

Skënderbeu gjithashtu shkon në Shkodër plot vetëbesim, Skuadra e Memellit është rikthyer fuqishëm në garën për kampionat, duke treguar se mund të luajë me kokën lart përballë kujtdo, kanë ndalur së fundmi në barazim Tiranën dhe Teutën, duke pretenduar madje se meritonin më shumë, ndërsa fitorja me Egnatian ka ardhur në momentin e duhur për të shpërblyer punën dhe sakrificat e një skuadre që shkon në Shkodër me shumë vetëbesim, dhe frymën e duhur për të kërkuar një tjetër rezultat pozitiv.

Megjithatë emocionet e Superiores startojnë më herët, pasi në orën 13:45 në Kamëz do të përballen Kastrioti e Egnatia, dy skuadra që kanë një luftë direkte për mbijetesë dhe do të kërkojnë fitoren.

Veçanërisht krutanët e kanë “trenin e fundit” për t’u afruar me skuadrat që kanë para vetes, pasi kanë mbetur në kuotën e 5 pikëve pas 12 javëve të para dhe çdo rezultat negativ ua komplikon edhe më shumë garën.

Të dy sfidat do të mund t’i ndiqni në ekranin e Supersport 3, ku nuk do të mungojë as emisioni dedikuar Superiores, Gol pas Goli.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency