Kategoria Superiore

Sfidë për Europën, Bylis kërkon fitoren e parë të vitit në Laç

Ende pa një fitore në kampionat në vitin 2020, Bylisi këtë mesjavë do të ketë një përballje direkte me Laçin për zonën europiane, që mund të jetë ndoshta dhe shansi i fundit për ballshiotët për të arritur objektivin, të paktën përmes kampionatit.

Sfida mes dy skuadrave megjithatë nuk është asnjëherë pa rivalitet, aq më tepër që Bylis së fundmi e eliminoi ekipin kurbinas dhe në Kupë. Ballshiotët në kampionat gjithashtu në këtë sezon nuk kanë humbur kundër Laçit dhe ky mund të jetë një plus në aspektin e statistikave, por fakti që në 2020 nuk kanë fituar ende në kampionat e bën të komplikuar situatën për skuadrën e Dovedan.

Laçi për më tepër ka patur një situatë krejt të ndryshme në dy javët e fundit, duke përfituar maksimalisht dhe nga kalendari teksa ka fituar me dy skuadrat e fundit e tabelës, situatë që në të kundërt nuk e shfrytëzoi Bylisi kur kishte përballë Flamurtarin në fundjavë.

Në fakt Bylis në këtë sezon ka treguar se ndaj të fortëve di të bëjë diferencën, ndërsa problemin e ka patur me skuadrat që në letër kanë qenë dukshëm më pak të favorizuara. Edhe ndaj Laçit e ka treguar këtë në Kupë, por dhe në kampionat.

Fakti që do të luhet në shtëpinë e bardhezinjve, sigurisht që favorizon Laçin, që kërkon të marrë suksesin e 3-të radhazi dhe për shkak se kampionatin e ka të vetmen dritare drejt Europës, ndërsa Bylis deri tani ka treguar se atëhërë kur pritet më pak, merr më shumë dhe ndeshja e kësaj të mërkure premton padyshim shkëndija në këtë aspekt.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency