Sfidohen përmbytjet, në Korçë ka ‘finale’
Përmbytjet e mëdha që kanë zaptuar vendin, ndryshuan kalendarin e Kategorisë Superiore, por nuk e ndalën atë. Krye-sfida e javës së 13, por edhe një nga finalet e Superligës, ajo mes Skënderbeut dhe Kukësit do të startojë në orën 17:00, në Korçë. Vendasit vijnë pas 3 barazimesh radhazi dhe nuk fitojnë që prej 05 nëntorit, përballë Vllaznisë, ndaj do të kërkojnë 3 pikët në këtë sfidë, qoftë edhe për të hequr qafe një rival direkt në luftën për titull.
Nga ana tjetër, kampionët në fuqi janë super të motivuar për këtë sfidë, sepse kërkojnë që nëpërmjet fitores të hakmerren për humbjen në ‘Zeqir Ymeri’, në fazën e parë, por edhe të ngushtojnë diferencën me korçarët në tabelën e renditjes. Të dy trajnerët kanë bërë thirrje për qetësi, duke u shprehur se kjo ndeshje nuk është deçizive, por kur përballen dy skuadrat që kanë rivalizuar ashpër me njëra-tjetrën, në sezonet e fundit, takimi merr të tjera përmasa. Të dy ekipet vijnë në këtë takim pa mungesa të rëndësishme dhe trajnerët përkatës do të kenë mundësi të luajnë me formacionet më të mira.
Sfida Skënderbeu-Kukësi do të transmetohen live në Supersport 3, bashkë edhe me intervistat me trajnerët dhe protagonistët, pas ndeshjes.



