Shameti: Fitore e rëndësishme, penalltia nuk ishte!
Tri pikë të rëndësishme për Kukësin, që vlejnë më shumë në anën psikologjike dhe për vazhdimësinë. Ylli Shameti theksoi pas fitores me Laçin që pavarësisht rezultatit pozitiv, kampionët e Shqipërisë kanë shumë për të korrigjuar në lojën e tyre.
Kemi ardhur në këtë takim me një psikologji jo shumë të mirë. Presioni ishte i madh, e aq më tepër në fushën e Laçit. Logjikisht, e prisnim të ishte e vështirë. Kemi shumë për të korrigjuar, ua thashë edhe çunave. Kemi fituar, por edhe kundërshtari humbi raste. Është një fitore shumë e rëndësishme për momentin që po kalojmë, por duhet të bëjmë më shumë, kemi rrugë përpara.
Mbrojtësi gjirokastrit nuk dëshiron të flasë për objektivat afatgjatë, duke këmbëngulur se Kukësi duhet të mendojë ndeshje pas ndeshjeje.
Duhet të bëjmë detyrat tona maksimale dhe të flasim pas çdo ndeshjeje. Duke minimizuar gabimet e duke dhënë shpirtin në fushë do të rikuperojmë shumë gjatë rrugës.
Për 11-metërshin e shkaktuar ndaj Kukësit, Shameti këmbëngul se prekja ishte e pavullnetshme, ndaj nuk ishte penallti.
S’ka qenë 11-metërsh, sepse unë isha pas sulmuesit. Distanca është e vogël, topi më parë është prekur nga kundërshtari pastaj më erdhi në dorë. Duart s’mund t’i mbaja nga pas kur kundërshtarin e kam para vetes me kurriz.



