Kategoria Superiore

Shameti: Marrim ndeshjet me radhë dhe rikuperojmë distancën nga kreu

Ndeshja me Kastriotin riktheu Kukësin te fitorja duke e lejuar të mos humbasë më tepër terren me kreun e klasifikimit. Një sukses i arritur jo thjeshtë dhe me përmbysje, por që ka vlera sidomos në aspektin e moralit për të hedhur pas dhe një periudhë jo të thjeshtë për verilindorët, sipas kapitenit Ylli Shameti.

“Pas dy ndeshjeve jo shumë të mira, veçanërisht për shkak të rezultatit, kishte ardhur momenti që të merrnim 3 pikët, për të rigjetur qetësinë dhe për të vijuar rrugën drejt synimeve tona. Shpresoj që kjo fitore të na shërbejë për të vijuar rrugën tonë drejt suksesit”, deklaroi Shameti.

Mbrojtësi ishte heroi i ndeshjes me Kastriotin me një gol dhe një asist, një ndjesi e veçantë për 34-vjeçarin, aq më tepër që puna e tij u shpërblye dhe me suksesin e ekipit.

“Padiskutim që është diçka e bukur dhe për më tepër kur merr fitore në transfertë. Janë momente ku kemi pasur edhe një farë ngërçi në sulm dhe shpresoj që tani të na shkojë mirë”, tha mbrojtësi gjirokastrit.

Përballë këtë fundjavë do të jetë Laçi, me të cilin Kukësi barazoi 1-1 në ndeshjen e parë. Një kundërshtar i fortë, sfida ndaj të cilëve deri diku është shndërruar dhe në një lloj derbi vitet e fundit. Për Shametin e rëndësishme për ekipin është që skuadra nga tani e mbrapa të ketë vazhdimësi dhe të mos bazohet dhe humbja e fundit e kurbinasve për të gjykuar rivalët në mënyrë të nxituar.

“Të gjitha ndeshjet janë shumë të vështira në këtë kampionat. Me Laçin kanë qenë si derbi përballjet tona dhe ata janë një skuadër simpatike, ku vrapojnë të gjithë, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Nuk duhet të nisemi nga humbja e fundit e tyre, pasi ata luajnë në shtëpi dhe duhet të mobilizohemi maksimalisht për të marrë 3 pikët”, tha Shameti.

Diferenca me Partizanin kryesues nuk e tremb kapitenin e Kukësit, pasi për të kampionati është ende i gjatë dhe titulli nuk fitohet në vetëm një fazë.

“Kemi kohë sa të duash për të rikuperuar. Ne thjesht duhet të bëjmë detyrën dhe të marrim ndeshjet me radhë, duke filluar që nga sfida me Laçin, ku na duhen 3 pikët. Nëse bëjmë këtë dhe ia dalim me sukses, nuk ka rëndësi sa pikë para është rivali ynë”, u shpreh Ylli Shameti.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency