Shefi i arbitrave pranon gafën në Roma-Inter: Gabim i pakonceptueshëm!
Sfida Roma-Inter përfundoi, por polemikat vijojnë ende, teksa verdhekuqtë vijojnë të mos gjejnë shpjegim për atë mungesë të ndërhyrjes së VAR-it, në rastin e kontaktit mes D’Ambrosios dhe Zaniolos, që dukej si një 11-metërsh i pastër.
Francesco Totti ishte i pari që shpërtheu në media, pas sfidës së mbrëmshme, duke kërkuar takim urgjent për zgjidhjen e këtyre situatave, teksa tha: Nuk e kuptoj pse nuk ndërhyri VAR-i. Ndoshta Fabri (arbitri që ishte në VAR) ishte duke parë një tjetër ndeshje.
Sot ka qenë radha e Marcello Nicchit, presidentit të Shoqatës së Arbitrave Italianë, që të komentojë episodin e mbrëmshëm, por edhe ky nuk ka arritur të shpjegojë mungesën e përdorimit të VAR-it.
“Nuk kam asgjë për të thënë, përveç se të pranoj se kemi të bëjmë me një gabim të pashpjegueshëm. Me këtë rast duhet të merret dizenjatori i arbitrave dhe të marrë masa, pasi është e patolerueshme, që edhe pas atyre pamjeve, VAR të mos reagojë”, deklaroi Nicchi.
Mediat italiane raportojnë se edhe dizenjatori i arbitrave, Nicola Rizzoli do të merret me rastin dhe pasi të kuptojë se kush gaboi, do të ndërhyjë për ta pezulluar me disa javë, pasi edhe me VAR, arbitrat italianë vijojnë të gabojnë shumë.



