Shehi: Devollit nuk i dhanë kohë, Tiranës i duhet një fitore
Orges Shehi ishte i ftuari special i emisionit “Zona Gol” të dielën në mbrëmje. Trajneri i Skënderbeut tregoi në detaje sesi e mori drejtimin e skuadrës, mbështetjen e klubit, si dhe komentoi shkarkimin e Bledar Devollit apo situatën te Tirana pas 3 javëve të para.
“Jeta ime është e lidhur me fushën, edhe pasi lashë futbollin. Dikur më kanë bërë një ofertë për jashtë Shqipërisë, por u kam thënë jo. Pasioni dhe dëshira ishte që të drejtoja një skuadër. E kam marrë me besim të plotë, dhe kjo do të jetë rruga ime. Zgjedhja që bëri klubi, duke më besuar stolin e skuadrës, ishte një vlerësim i madh. E kam marrë me shumë përgjegjësi, tani të shohim nëse do të vijnë rezultatet. Që kur De Biazi më mori në staf, në Kombëtare, e shikoja që ishin dy botë të ndryshme, të jesh në fushë dhe në stolin e trajnerit.”
Shkarkimi Devollit: Një trajneri duhet t’i jepet kohë. Për 3 javë ai nuk ka se çfarë të tregojë. Ka bërë një fitore të mirë me Tiranën. Situata nuk është aq alarmante, sa trajneri të shkarkohet, megjithatë nuk më takon ta komentoj.
Emërimi trajner: Ka qenë një periudhë e vështirë, kishim besim se do të luanim në Champions dhe prisnim vendimin nga CAS. Nuk bëhej fjalë që të merrje drejtimin e skuadrës në ato momente. Duke u konsultuar, duke parë se si do organizoheshim, duke parë edhe lojtarët në kontratë, morëm ato vendime. Pas disa ditëve, presidenti më thërret, dhe më thotë: po sikur ta marrësh ti skuadrën?. Kemi besim te aftësitë e tua të menaxhimit të grupit, duke qenë pjesë e vendimeve të marra në stafin e trajnerëve. Aty ma sugjeruan dhe në 5 ditë, nuk e di a i kam bërë 24 orë gjumë në total. Kam marrë edhe ilaçe. Nuk e prisja aspak. Gjëja e parë, duhej të krijoja stafin. Jam i bindur, se vetëm nuk mund të bësh asgjë.
Mbështetja nga drejtuesit: Mua më ndihmon shumë që kam kohë te Skënderbeu, e njoh mirë ambientin. Ndërthurja e lojtarëve dhe e imja me ta ka të bëjë edhe me momentin që klubi kalon. Kemi ndërtuar një skuadër me elementë të rinj, për të ardhmen, por duke mos hequr dorë nga objektivat, duke marrë edhe senatorët e skuadrës, që janë shtylla jonë.
Përvoja e fituar: Objektivat e Skënderbeut nuk ndryshojnë. Synimi ynë do jetë gjithmonë për lart. E kam thënë, edhe pas Superkupës, duke pasur eksperiencë mbi supe, duke ndenjur edhe 2-3 muaj si pjesë e stafit të Kombëtares, më kanë ndihmuar sadopak. Do të punojmë, edhe me ndihmën e stafit tim. Do bëhet më e lehtë.
Ecuria e Tiranës: Tiranës i duhet një fitore për të bërë një hap përpara, të ketë një shtysë, për të kaluar këtë situatë, ku nuk ka marrë ende fitoren e parë.
Rivali i Skënderbeut – Në këtë kampionat mund të fitosh me të gjitha dhe të humbësh me të gjitha. Nuk mund të caktoj një ekip. Diferencat janë shumë të vogla.



