Shehi: Dinamo pengesa e parë drejt titullit, ndërrimi i trajnerit na e bën më të vështirë
Tirana është gati për derbin e radhës kundër Dinamos. Bardheblutë kryesues do të sfidojnë rivalët kryeqytetas të shtunën në “Elbasan Arena” (16:45), sfidë e vlefshme për javën e 26-të në Abissnet Superiore që do të transmetohet në Supersport 3. Trajneri i Tiranës, Orges Shehi foli për mediet rreth këtij takimi, ku ndër të tjera tha:
“Kemi një distancë prej 10 pikësh me Laçin, por kjo bie poshtë duke llogaritur sa pikë janë në lojë. Duhet të fokusohemi te vazhdimësia, kemi edhe 11 pengesa. E para është kjo ndaj Dinamos, pa marrë parasysh distancën e pikëve që kemi me të tjerët.
Dinamo? Ndërrimi i trajnerit na e vështirëson pak situatën. Na mbetet për të marrë masa. Duhet të jemi të vëmendshëm dhe të qetë për të marrë masat për mënyrën e rreshtimit dhe lojën e kundërshtarit.
Kemi bërë një kampionat të mirë, kemi bërë mirë ndaj kundërshtarëve, si ndaj Dinamos. Derbi është derbi, Dinamo ka lojtarë cilësorë, por situatat ndryshojnë nga ndeshja në ndeshje. Dinamo kërkon vlerësimin maksimal.
Me mbylljen e ‘Air Albania’ do i luajmë jashtë të gjithë ndeshjet, por jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e nesërme ndaj Dinamos.
Fagu? Ishim të përgatitur, e dinim që do largohej. Ai është larguar për motive familjare jashtë Shqipërisë. Është shpejt për të marrë pjesëtarë të tjerë të stafit.
Titulli? Janë 33 pikë në lojë, por ne duhet të shohim veten tonë. Përqendrimi dhe impenjimi janë shumë të rëndësishme. Në këtë moment duhet vlerësim dhe mund për djersën tonë, të vazhdojmë me të njëjtin impenjim.
Presidenti? Ai merr vendimet, por epiqendra jonë është ndeshja me Dinamon. Trajnerët te Tirana shkojnë dhe vijnë, e rëndësishme është të arrijmë objektivin tonë dhe të bëjmë krenarë tifozët, klubin dhe pjesëtaret e skuadrës.
Është privilegj të jesh trajner i Tiranës, është kënaqësi e madhe. Çdokush do të donte të ishte pjesë e këtij klubi për një kohë të gjatë”, deklaroi Orges Shehi.
Sa e njihni La Ligën?
Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...



