Shehi: Humbje e pamerituar, topi nuk donte të hyjë në rrjetë
Intervista e trajnerit të Skënderbeut, Orges Shehi dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pasi durrsaku humbi sërish përballjen e tij me Blendi Shkëmbin, e dyta mes tyre si trajnerë.
Vuajtët më shumë se duhet pjesën e parë…..
Unë mendoj se mund të shpreheshim më mirë në pjesën e parë, por nuk është se kundërshtari na vuri në vështirësi, aq më tepër që edhe golin e pësuam nga një goditje standarde.
Bëtë gjithçka mirë në 45-minutëshin e dytë, por askush nuk e shtyu topin në rrjetë…
Më vjen keq për atë që dha skuadra dhe për lojën e rastet e krijuara. Shkuam shumë herë në zonën kundërshtare, por nuk arritëm të konkretizojmë, ndaj më vjen keq që shpërdoruam djersën e çunave.
Pse e latë jashtë Krasniqin?
Krasniqi ka qenë i dëmtuar dhe nuk e grumbulluam fare për këtë sfidë. Mungesën e tij do të vuajmë edhe për 2-3 javë të tjera.
Pse nuk e futët më herët sulmuesin e dytë?
Sepse skuadra po luante mirë dhe po shkonte në zonën kundërshtare, ndaj e pashë të arsyeshme që të mos prish ekuilibrat. Në minutat e fundit, nuk kishim më çfarë të humbnim, ndaj vendosa të largoj Demtenë dhe të fus sulmuesin e dytë në fushë.
Si e shpjegoni mungesën e tifozërisë?
Nuk e kuptoj në fakt këtë mungesë të tifozërisë, pasi është diçka e rrallë në 8 vitet e mia në Korçë. Skuadra ka djem të rinj, por që po japim maksimumin dhe kanë nevojë për besim e mbështetje, që të ecin edhe më shumë dhe të mbrojnë titullin.
Keni humbur 3 takime, dy përballë Teutës. A e ndjeni presionin e tyre, që janë pas jush me dy pikë më pak?
Unë e kam thënë që në fillim se në Kategorinë Superiore nuk ka skuadra të lehta, pasi mund të fitosh dhe të humbësh përballë çdo kundërshtari. Ne duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet me radhë, për të arritur aty ku ne kemi synimin.
Çfarë prisni nga merkatoja e janarit?
Ne kemi nevojë për lojtarë me eksperiencë, veçanërisht nga mesfusha e lart, pasi të rinjtë që luajnë aty nuk kanë vitet e duhura mbi shpinë, për të mbajtur peshën që u ngarkohet. Megjithatë, duhet ta pranojmë se në janar është një merkato që nuk të ofron shumë mundësi, por gjithsesi të shohim se si do rrjedhin ngjarjet.



