Shehi: Martinit iu përgjigja në fushë, tani të fitojmë derbin (Video)
Tirana merr një tjetër fitore, këtë herë ndaj kampiones në fuqi, Teutës dhe shkëputet e vetme në krye të renditjes me 11 pikë. Trajneri Orges Sheh ishte në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli”, ku analizoi sfidën ndaj durrsakëve, por nuk shmangu as komentet për derbin ndaj Partizanit, që do të luhet fundjavën e ardhshme.
Fitore e vështirë – Kaluam një situatë të vështirë, pasi e kemi përgatitur ndeshjen me vetëm 10 lojtarë, Këtë vendosje e provuam edhe në Kupë, për t’u përshtatur disi dhe më vjen mirë që sot na shkoi mirë, duke marrë fitoren.
Rastet e humbura – Ne dalim gjithmonë para portës dhe këtë e bëmë edhe sot. Rëndësi ka që skuadra krijon raste dhe del para portës kundërshtare, por natyrisht që duhet të mësojmë edhe t’i godasim, pasi nuk mund të shpërdorojmë kaq shumë.
Mesfushorët – Jam i kënaqur nga të tre mesfushorët, por Limaj luante në pozicionin e tij dhe e kishte më të lehtë, ndërsa Toli luajti një kundër një ndaj Kallakut, pasi nuk donim ta linim të lirshëm në vertikalizime, duke qenë se ka pas shumë të mirë. Totre kishte detyrë të dyfishtë, pasi duhej të rreshtohej në mesfushë në fazën mbrojtëse dhe të afrohej pranë sulmit kur dilnim para.
Ironia e Martinit – Unë e thashë edhe dje, që nuk jam doktor, por dihet që futbollistët e kanë pak më shpejt koronavirusin. Ata dolën negativë dhe ishin në dispozicion, por nuk kishin formën e duhur për të luajtur, ndaj edhe i lashë në stol. Unë nuk jam doktor, por trajner dhe vlerësoj gjendjen e lojtarëve të mi.
Kalendari i vështirë – Unë i kam shumë qejf ndeshjet e forta dhe këtë mentalitet dua t’ua përcjell edhe lojtarëve. Janë ndeshje të bukura, të cilat ne duhet t’i shijojmë dhe të provojmë të marrim më të mirën. Fatin tonë nuk e dimë, por duhet të përpiqemi maksimalisht që ta kthejmë në favorin tonë.
Java e derbit – Në derbi nuk ka asnjëherë favoritë, pasi skuadrat janë aty-aty dhe për vetë historinë, vështirë se mund të bësh një parashikim. Është një ndeshje speciale, që të gjithë mezi e presin, por do të provojmë ta luamë sa më mirë për të bërë krenarë të gjithë tifozët tanë.
Presioni – Kur je pjesë e një skuadre të madhe, e ekipit me më shumë tituj, ka gjithmonë presion. Tirana ndërtohet gjithmonë për të fituar dhe kur je në krye, pritshmëritë shtohen, por unë mendoj se duhet t’i marrim ndeshjet me radhë.



