Shehi: Nuk vendos limite për skuadrën, edhe lojtarët kanë objektivat e tyre
Tirana luan nesër në stadiumin e Egnatias përballë Kukësit, teksa skuadra e drejtuar nga Orges Shehi kërkon ta mbyllë me triumf fazën e tretë për të hedhur një tjetër hap drejt titullit numër 26. Tekniku i bardhebluve, në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes theksoi se nuk i vendos limite ekipit, ndërsa shtoi se tashmë kryeqytetasit janë “padronë” të fatit të tyre.
Pauza e kombëtareve dhe grupi i lojtarëve – “Ndërprerja e kampionatit ishte e parashikuar për shkak të pauzës së kombëtareve. Kur ka grumbullim kombëtarja sigurisht që grupi i lojtarëve është i plotë, ishin 4 lojtarë të thirrur, 2 me ekipin A dhe 2 me U-21, të cilët kanë ardhur duke i’u bashkuar skuadrës ditën e mërkurë. Ndërprerja e kampionatit është normale, në momentin që ishim do të donim që kampionati të mos kishte ndaluar, por kjo javë na ka shërbyer për të rikuperuar energjitë dhe për t’u përgatitur për ndeshjen e nesërme.”
Ndeshja ndaj Kukësit – “Sfida me Kukësin është e vështirë. Të gjitha skuadrat janë me objektiva. Kukësi renditet e treta në klasifikim, është një ekip që është rivale për sa i përket ndërtimit të skuadrës dhe cilësisë, pavarësisht se pikët dhe pritshmëritë nuk i kanë aty ku janë. Një ndeshje që ka rëndësi sepse vjen pas pauzës së kombëtareve. Të gjitha skuadrat që luajnë me ekipet që janë afër njëra-tjetrës kërkojnë që të japin maksimumin e tyre, kanë dhe objektivat e tyre. Kampionati i gjatë ka dhe momente jo pozitive, siç mund t’i ketë pasur Kukësi, por edhe ne gjithashtu. Ndeshja në ndeshje ndryshon. Ndryshon strategjia, motivimi dhe psikologjia e lojtarëve, kam përshtypje që nesër na pret një ndeshje e luftuar dhe me cilësi.”
Statistikat – “Për pikët ne kemi një vazhdimësi të mirë, një ekuilibër në të treja fazat. Nesër mbaron faza e tretë. Për çdo fazë kemi mundur të marrim nga 20 pikë, ndërsa tani në fazën e tretë jemi me 19 për momentin. Kërkojmë gjithmonë që mos të kemi limite, të përmirësohemi. Duam vazhdimësi, sepse statistikat janë gjë tjetër, por e rëndësishme është për ne që ndeshje pas ndeshje të grumbullojmë sa më shumë pikë.”
Objektivat – “I kemi fatet tona në dorë, pavarësisht se kemi distancë nga kundërshtari ynë më i afërt. Kemi objektivat tona, kemi dhe lojtarë që kanë objektiva personale dhe kolektive dhe kur ndërthuren të dyja së bashku janë akoma edhe më mirë. Me këtë distancë të konsiderueshme që kemi, rivali ynë i vetëm jemi ne. Në këtë moment që jemi, motivimi është shumë i rëndësishëm”, përfundoi Shehi.



