Shehi: Pikë morali dhe kthese për të parë Skënderbeun e madh
Orges Shehi nuk e fshehu kënaqësinë për pikën e marrë në “Niko Dovana”, ku Skënderbeu u gjend nën dy gola, për të barazuar në fund 2-2.
I kënaqur me grintën e ekipit?
Po, sigurisht jam i kënaqur. Pjesën e parë e mbyllëm me një penallti të pësuar. Sapo filluam të dytën, morëm një gol tjetër. Më vjen mirë që skuadra tregon shpirt gare dhe forcë karakteri, që e kemi pasur javët e para. Jam i kënaqur për egon që rikthyem, jo vetëm për pikën e marrë.
A është kjo pjesë e dytë, një pikë kthimi?
Sigurisht, është pikë me vlera për moralin e skuadrës dhe vazhdimësisë. Edhe me Tiranën jemi ndëshkuar nga mos përqendrimi. Këtë kam kërkuar gjithë javën, përqendrim maksimal. Kemi bërë një ndeshje të mirë, dhe shpresoj të jetë pikënisje për të rikthyer atë Skënderbe të madh.
Prekja me dorë e Radasit…
Nuk besoj se ka njeri që thotë se është penallti. Është distanca shumë e afërt. E pashë që në fushë. Pas pjesës së parë ishin shumë të revoltuar. I kërkova qetësi skuadrës, sepse ajo nuk zhbëhet më.
Të jep shpresë loja, për ndeshjen tjetër ndaj Kukësit?
Sigurisht, jo vetëm për pikën, më pëlqen grinta dhe shpirti i skuadrës. Kemi humbur shumë pikë në fund, na vjen të plasim. Në Krujë, në Vlorë, me Tiranën. Nuk është se na bën gjë të madhe kjo pikë, por duhet të vazhdojmë me këtë ritëm. Vetë kundërshtari, ta imponon që të mos heqim këmbën nga gazi.



