Shkarkimi i Tramezzanit i kushton Sionit 1,7 mln Euro
Edhe pse shkarkimi nga Sioni ishte një goditje përsa i takon karrierës, Paolo Tramezzani mund të ngushëllohet me një dëmshpërblim të majmë për prishjen e njëanëshme të kontratës. Sipas gazetës zvicerane “Blick”, ish-zëvendës trajneri i Shqipërisë do të përfitojë afro 2 milionë franga zvicerane, rreth 1,7 milionë euro nga klubi.
Duke qenë se presidenti Christian Constantin e dëshironte me çdo kusht në krye të stolit, ai nuk i kurseu shpenzimet për trajnerin 47-vjeçar. Sipas kontratës 2-vjeçare të firmosur gjatë verës së kaluar, Tramezzani do të përfitonte rreth 1 milionë franga në sezon duke përfshirë edhe shpërblimet. Ai gjithashtu zgjodhi dy asistentët Conte e Recenti, si dhe analistin e videove, Jacobo Gornati.
Tramezzani u shkarkua vetëm pas katër muajve në detyrë. Kjo e detyron klubin që ti paguajë 8 rroga të këtij sezoni dhe 12 rroga të plota për edicionin e ardhshëm. Vendimi për të larguar trajnerin nga detyra pritet ti kushtojë Sionit rreth 2 milionë franga zvicerane, me kostot që do të rriten edhe nga largimi i bashkëpunëtorëve të Tramezzanit.
Kjo shifër e bën ish-drejtorin e përfaqësueseve të moshave në Shqipëri trajnerin më të kushtueshëm në historinë e Sionit, dhe trajnerin e dytë që përfiton dëmshpërblimin më të lartë në Zvicër, pas Christian Gross që pas shkarkimit nga Baseli në vitin 2009 duhej të përfitonte 4 milionë franga zvicerane, por në fund klubi kaloi në llogarinë e tij “vetëm” gjysmën e shifrës, sepse në harkun e pak muajve tekniku mori drejtimin e Stuttgart në Bundesligën gjermane.



