Shkarkohet Nicola, Genoa ia beson pankinën ish trajnerit të Cagliarit
Genoa është gati të nisë një etapë të re, për ta larguar skuadrën një herë e mirë nga lufta për mbijetesë dhe për këtë afroi pak ditë më parë si Drejtor Sportiv Roberto Faggianon, i cili në sezonet e fundit ka bërë një punë të shkëlqyer te Parma.
Ditën e sotme klubi kuqeblu ka vendosur të shkarkojë edhe trajnerin që i garantoi mbijetesën në sezonin e fundit, Davide Nicolën, ndërsa pak më vonë prezantoi edhe zëvendësuesin e tij, italianin tjetër Rolando Maran.
“Davide Nicola nuk do të jetë më trajner i Genoas. Presidenti Enrico Preziosi falënderon trajnerin Davide Nicola dhe stafin e tij për punën dhe dedikimin e treguar dhe u uron atyre suksese në të ardhmen. Njëkohësisht Genoa njofton se trajneri i parë e skuadrës pr sezonin e ardhshëm do të jetë Rolando Maran. Ky i fundit ka firmosur një kontratë dy vjeçare”, thuhet në komunikatën e klubit.
Rolando Maran është një emër mjaft i njohur i trajningut në Itali, pasi më herët ka drejtuar skuadra si Brescia, Bari, Catania, Chievo e së fundi Cagliari, ku qëndroi për thuajse dy sezone dhe u shkarkua pak ditë para pandemisë.



