Shkeljet e disiplinës, bëhen çështje te Anglia, Harry Kane ngre zërin!
Kohë pas kohe mediat e ndryshme në ishull kanë pasqyruar bëmat e ndryshme të futbollistëve të përfaqësueses angleze, megjithatë ditën e mërkurë disa nga lojtarët kryesorë të kombëtares së “tre luanëve” u mblodhën, për të zgjidhur njëherë e mirë problemet e shumta të skuadrës në këtë aspekt, si dhe thyerjet e shpeshta të disiplinës. Në Qendrën Stërvitore të Përfaqësueses Angleze St George’s Park në Burton upon Trent, në Staffordshire, kapiteni Harry Kane dhe një grup lojtarësh me përvojë e vite në kombëtaren e “tre luanëve” shfrytëzuan rastin për të mbajtur një takim me gjithë pjesën tjetër të skuadrës, për të diskutuar në lidhje me zhvillimet më të fundit dhe problemet në lidhje me shkeljet e shumta të disiplinës, që sigurisht në fund influencojnë edhe në rezultatet apo qoftë edhe ecurinë e ekipit të drejtuar nga trajneri Gareth Southgate.
Sikur të mos mjaftonte rasti i dy futbollistëve të rinj Mason Greenwood dhe Phil Foden, që u përjashtuan përkohësisht nga skuadra, pasi shkelën rregullat e përcaktuar në lidhje me pandeminë e koronavirusit, teksa u takuan në Hotelin e Rejkjavikut ku ishte grumbulluar ekipi me dy vajza islandeze, mediat vendase publikuan një tjetër skandal që lidhet ngushtë me skuadrën përfaqësuese. Të shtunën në mbrëmje në ditëlindjen e sulmuesit shtatlartë të Chelsea-t, që u organizua pikërisht në shtëpinë e 23-vjecarit Tammy Abraham morën pjesë gjithashtu edhe dy futbollistët e tjerë të përfaqësueses Jadon Sancho e Ben Chilwell, megjithatë në atë festë u shkel rregulli bazë i distancimit publik, që ka përcaktuar kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, për shkak të virusit Covid–19, që ndalon grumbullimin e më shumë se 6 personave.
Trajneri Gareth Southgate u shfaq tepër i nxehur në grumbullimin e ditës së hënë dhe pas rastit më të fundit të shkeljes së disiplinës 50-vjecari nga Watfordi kërkoi qartë që futbollistët e përzgjedhur të vlerësojnë sic duhet situatën dhe të respektojnë fanellën e përfaqësueses angleze. Duke parë rastet e përsëritura këtë herë kanë reaguar edhe vetë senatorët e skuadrës, me në krye kapitenin Harry Kane, të cilët organizuan një mbledhje të posacme për t’iu rikujtuar sërish lojtarëve më të rinj përgjegjësitë e tyre. Ata u paralajmëruan nga grupi i futbollistëve me përvojë në lidhje me aktivitetin e tyre në rrjetet sociale dhe faktin që kur janë të grumbulluar me ekipin përfaqësues janë gjithmonë në qendër të vëmendjes.
Seleksionuesi i ekipit Gareth Southgate më herët ka këmbëngulur përherë te krijimi i futbollistit model, një rol që duhet respektuar nga të gjithë ata që kanë privilegjin për të veshur fanellën e përfaqësueses angleze, sidomos në një periudhë të tillë kohe, pas vështirësive që po kalon vendi dhe krizës që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Për hir të së vërtetës përvec 5 rasteve të regjistruara në muajin e fundit, përshtypje bën gjithashtu edhe sjellja arrogante e qendërmbrojtësit të kombëtares angleze Harry Maguire gjatë pushimeve në Ishullin Mykonos, futbollist që mban shiritin e kapitenit te një klub si Manchester United.
Të njëjtën politikë është duke ndjekur gjithashtu edhe trajneri i 21-vjecarëve Aidy Boothroyd te ekipi i “luanëve të rinj”, të cilët përgatiten që në fillim për disiplinën e fortë që nevojitet për të respektuar në mënyrën më të mirë të mundshme imazhin e kombëtares angleze. Përfaqësuesja e “tre luanëve” ka përsëri një brez të shkëlqyer lojtarësh, gjithsesi janë pikërisht shkeljet e rënda të disiplinës që influencojnë edhe në kapërcimin e këtij ngërci që ka pushtuar kombëtaren angleze prej më shumë se gjysmë shekulli. Më parë ishin ndasitë ndërmjet futbollistëve të famshëm të ekipit, që rivalitetin në Premier League me klubet e tyre Manchester United, Liverpool, Chelsea dhe Arsenal e përcillnin gjithashtu edhe në radhët e përfaqësueses, ndërsa tani evidentohen kohë pas kohe shkelje të disiplinës nga lojtarët e rinj, sidoqoftë janë pak a shumë pikërisht këto edhe arsyet përse Kombëtarja Angleze vazhdon të krenohet me Kupën e Botës që e ka fituar në vitin e largët 1966, madje edhe atë trofe pikërisht në atdhe.



