Shkëlqejnë Messi dhe Lewandowski, Barça-Bayern në çerekfinale
Barcelona-Bayern Mynih, një finale e parakohshme në fazën ¼ të Championsit. “Blaugranat” përmbushën pritshmëritë në sfidën e kthimit të fazës 1/8 ndaj Napolit, fituan 3-1 në takimin e kthimit në “Camp Nou” dhe me rezultat të përgjithshëm 4-2 siguruan një vend në çerekfinale. Barça nuk e vuri në asnjë moment në diskutim kualifikimin, pasi shënoi tre gola brenda pjesës së parë me autorë francezin Lenglet (10’), Lionel Messin në të 23-tën dhe Suarezin në minutën e parë shtesë të këtij fraksioni me penallti. Madje kur rezultati ishte 2-0, Messit iu anulua një gol fantastik, për prekje të topit me dorë. Në minutën e 5-të shtesë të pjesës së parë Napoli ngushtoi diferencën në 3-1 me 11-metërshin e shndërruar në gol nga Insigne.
Napoli u mundua të përmbyste shifrat në pjesën e dytë, por hasi në mbrojtjen e ngjeshur të vendasve dhe një ter Stegen të pakalueshëm.
E ktheu në stërvitore përballjem me Chelsea-n Bayerni i Mynihut, që kishte epërsinë e fitores së thellë 0-3 ët takimit të parë. Kampionët e Gjermanisë fituan thellë 4-1 edhe në “Allianz Arena”, të udhëhequr nga Robert Lewandowski, që hapi dhe mbylli serinë e golave për bavarezët (i pari me 11-metërsh), ndërsa gjetën rrjetën edhe Perisic dhe Tolisso.
Për blutë e Londrës golin e rezultatit të përkohshëm 2-1 e realizoi Abraham. Lampard kishte grumbulluar për këtë takim edhe futbollistin e Kombëtares Shqiptare, 18-vjeçarin Armando Broja, por nuk e pa të arsyeshme ta aktivizonte kuqeziun.



