Shkëlqimi i Orsolinit përmirëson bilancet e Juventusit
Juventusi vijon të realizojë plusvalenca të rëndësishme në merkato, me të rinjtë që ka shpërndarë në huazim, apo po shet në skuadrat e tjera të kampionatit italian.
Kështu pas Auderos, Sturaros dhe Mandragoras, emri më i ri që pritet të sjellë të ardhura në bilancin e bardhezinjve është sulmuesi i Bolognës, Orsolini.
Ky i fundit po shkëlqen nën drejtimin e Sinisa Mihajloviç dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbijetesën e skuadrës, ndërsa ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të tjera.
Emilianët mund ta blejnë nga Juventusi për shumën e 14 milionë eurove në fund të sezonit, por bardhezinjtë kanë të drejtën e riblerjes për 20 milionë euro dhe Paratici është i bindur ta bëjë menjëherë.
Megjithatë vështirë se futbollisti do të qëndrojë gjatë në Torino, pasi plani i bardhezinjve është që më pas ta nxjerrin sërish në shitje, për të përfituar rreth 30 milionë euro, aq sa edhe vlerësohet kartoni i tij.



