Shkëmbi: Gabuam në pjesën e dytë, nuk më pëlqeu nervozizmi
Teuta ia doli të marrë një barazim 1-1 ndaj Partizanit në kryeqytet, por për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet, mund të kishte marrë më shumë, ndërsa trajneri Shkëmbi, në intervistën për Supersport pranoi se ishte i pakënaqur me reagimin e ekipit në pjesën e dytë.
I kënaqur me barazimin ndaj Partizanit, apo prisnit më shumë?
Prisja diçka më tepër, sidomos në pjesën e dytë. Nuk më pëlqeu skuadra pjesën e dytë, pasi duhet të bënim më shumë. Duhet të kishim iniciativë më shumë. Gjithsesi nuk duhet të harrojmë që luanim ndaj Partizanit, që në pjesën e dytë na i bëri shumë të vështirë.
Sot preferuat të luanit me dy sulmues nga fillimi…
Në fakt gjatë gjithë javës kemi pasur probleme fizike, ndaj e menduam ta fillonim me 2 sulmues. Pjesa e parë më pëlqeu, pjesa e dytë mendoj se ishte më shumë problem psikologjik.
Çfarë nuk shkoi në pjesën e dytë?
U duk sikur ne u pajtuam me rezultatin. Në teori nuk e menduam kështu dhe në pushim të ndeshjes kërkuam të rrezikonim kundërshtarin. Kjo ishte arsyeja pse skuadra nuk më pëlqeu në pjesën e dytë.
Ndërruat Çyrben me Kallakun, por sulmuesi anësor dukej se kishte ende për të dhënë…
Kishim probleme në qarkullimin e topit. Ishim me një lojtar më shumë dhe më shumë e kontrollonte topin Partizani se ne. Pas ndeshjes ndodh që të kesh bërë gjëra gabim dhe unë nuk e kam problem të pranoj, por ashtu e mendova në atë moment.
Futbollistët tuaj reagonin ashpër ndaj vendimeve të arbitrit. Pse kaq nervozë?
Ishte diçka që edhe mua vetë nuk më pëlqeu. Nuk më pëlqen që lojtarët të hakërrehen ndaj arbitrit. E kanë ndjerë më shumë seç duhet këtë ndeshje. E kam rregull që me arbitrin nuk duhet të merret asnjë lojtar. Kam besimin që në ndeshjet e ardhshme, nuk do të ndodh kjo gjë



