Kategoria Superiore

Shkëmbi: Kalojmë ngërçin dhe kapim Europën

Teuta po kalon një nga momentet më të vështira të sezonit, me skuadrën që pësoi plot 5 gola në fundjavë në laç dhe që tashmë rrezikon objektivin Europë.

Trajneri Blendi Shkëmbi, pasi reflektoi dhe bisedoi me drejtues e futbollistë të skuadrës, vendosi të vijojë punën në stolin durrsak, ndërsa synon të nxjerrë ekipin nga ngërçi psikologjik i javëve të fundit.

Po kaloni një periudhë të vështirë. Si mund të dilet nga një moment i tillë?
Është një periudhë jo pozitive, madje e dobët dhe e keqe, por jemi duke punuar dhe duke folur, që duhet të ndryshojmë sa më shpejt, pasi kështu po vëmë në pikëpyetje të madhe objektivin tonë. Nuk janë vetëm rezultatet, por edhe loja, ajo që po na shqetëson më shumë.

Në skuadër duket sikur ka edhe një problem psikologjik…
Është e drejtë, pasi në futboll ndodh që edhe të gabosh dhe të pësosh, gol, por karakteri i ekipit duket kur reagon. Ne më përpara e kemi treguar këtë forcë karakteri, por së fundi nuk po mundemi. Jemi në një ngërç psikologjik, por na takon ne që ta zgjidhim këtë situatë. Kemi folur edhe me skuadrën dhe shpresoj që ajo ndeshje të Laç, të ketë qenë fundi i të keqes.

Sa beson që kjo skuadër mund të rikthehet në nivelet e pjesës së parë të sezonit?
Kam shumë besim, pasi ishin këta lojtarë që morën shumë rezultate pozitive rresht. Për më tepër, në stërvitje vijojmë punën me të njëjtin ritëm dhe të njëjtën dëshirë. Jam i bindur që nëse punon, duhet vetëm pak fat, për të kthyer situatën pozitive.

Është e vërtetë që ishit pak i dyzuar për të vijuar punën në stolin e Teutës?
Unë atë vendim po e merrja me qetësi, jo sepse nuk kisha besim te skuadra, por mendova që në një moment delikat, dikush duhet të marrë përgjegjësi për të mirën e ekipit. Megjithatë pas bisedave që patëm me drejtues të klubit dhe lojtarët, jemi në një mendim dhe besim se do arrijmë të realizojmë objektivin që kemi.

Luani kundër një skuadre që ka bërë ndeshje të mira kohët e fundit…
Flamurtari mendon komplimentet më të mëdha në këtë kampionat, pasi të gjithë i dimë problematikat e tyre. Megjithatë kjo skuadër, përtej problematikave, vijon të luajë mirë dhe të marrë pikë.

Është një fitore e domosdoshme nesër për Teutën?
Unë shpresoj që skuadra të ndryshojë sjellje në fushë, Duhet të kthehet besimi dhe egoja për të fituar, më pas të tjerat do të vijnë vetë. Luajmë për ta fituar ndeshjen, por shpresoj që të kemi nivelin e duhur psikologjik nesër.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency