Shkëmbi paralajmëron ndryshime në formacion: Po gabojnë lojtarët me eksperiencë
Intervista e trajnerit të Teutës, Blendi Shkëmbi, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pas ndeshjes që durrsakët humbën me rezultatin 3-1 në transfertë ndaj Flamurtarit.
Një tjetër humbje dhe sërish pësoni 3 gola, në mënyrë shumë të lehtë…
Nuk po arrijmë ta kuptojmë, pasi po gabojmë rregullisht dhe për fat të keq, po gabojmë me lojtarët më me eksperiencë, nga të cilët presim të na japin qetësi. Pasuam një gol të shpejtë dhe u munduam të reagojmë, por morëm një tjetër gol. Rihapëm takimin dhe kishim besim se mund ta përmbysnim rezultatin, por kundërshtari bëri mirë punën e tij, duke ulur ritmin, me hyrjet e shpeshta të mjekëve në fushë.
Si mund të dilet nga kjo situatë?
Duhet të pranojmë se nga klubi na janë krijuar të gjitha kushtet për të punuar të qetë, por vijojmë të gabojmë dhe të humbim vetë ndeshjet, Mendoj se duhet të reagojmë shpejt dhe këtë herë do të marr masa, të cilat ndoshta nuk do t’u pëlqejnë të gjithëve, por që janë të domosdoshme për të mirën e skuadrës.
A flasin të njëjtën gjuhë mbrojtësit e Teutës?
Po, por kohët e fundit, jo vetëm ata me njëri-tjetrin, por edhe unë nuk po arrij t’i kuptoj. Skuadra nuk ka asnjë presion psikologjik, pasi punon e qetë. E vërteta është që ne po i shënojmë vetë gol vetes tonë, duke gabuar në momentet kyç të takimeve.



