Shkëmbi: Rëndësi ka rezultati, loja do vijë me kalimin e kohës
Teuta “vrapon” drejt kreut me 5 fitore në 7 javët e fundit, ndërsa trajneri Blendi Shkëmbi nuk i fsheh ambiciet, në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
Fitorja e 5-të në 7 javë dhe duket sikur kjo skuadër po konturohet tashmë…
Është kënaqësi kur shikon këto shifra. Kemi marrë rezultate të mira dhe jo pa meritë, pasi skuadra ka punuar mirë. Sot arritëm të fitojmë kundër një kundërshtari shumë të vështirë, që luan shumë mirë futboll.
A shihni pak edhe kreun e renditjes?
Ne vazhdojmë të punojmë, pasi duhet të përmirësohemi akoma. Duke fituar, vijnë edhe mendimet për të parë lartë, por duhet t’i luajmë ndeshjet një e nga një.
Pas golit të parë, munguan rastet e shënimit për Teutën…
Luftëtari e bëri shumë të vështirë ndeshjen pasi ka një skuadër të mirë, që qarkullon shumë topin. Nuk jam dakord që munguan rastet, pasi patëm mundësi shënimi, por mos harroni se nuk luajmë vetëm ne në fushë. Ishte normale një tërheqje për disa minuta, për të ruajtur rezultatin. Luftëtari na vuri në vështirësi kur hyri sulmuesi tjetër, por për fat të mirë arritëm ta ruanim rezultatin.
E keni humbur pak bukurinë e lojës, por jeni më të sigurt për të marrë rezultatin. Mos ndoshta jeni stepur, apo nuk i keni lojtarët e duhur?
Kam thënë gjithmonë që duhet të përmirësohemi. Javët e para kemi bërë futboll të bukur, por mendoj që po bëjmë një futboll të mirë me futbollistët që kemi. Disa futbollistë kanë qenë të dëmtuar. Mbrojtësi i majtë luan me këmbën e kundër. Të rëndësishme janë rezultatet, për fat të mirë po i marrim.
Rezultati 1-0 të mban në ankth gjatë gjithë kohës. A i mjafton vetëm cinizmi Teutës për të arritur objektivat? A mund të ndryshosh diçka?
Unë mendoj që ne gjithmonë duhet të ndryshojmë diçka. Duhet të përmirësohemi, të bëjmë lojë më të bukur, por në fund shumë të rëndësishme janë pikët. Ne luajmë një futboll të mirë. Nuk bëjmë spektakël, por asnjë skuadër nuk bën spektakël në Superiore.
Kur ishit futbollist ishit më i bukur në atë që bënit në fushë…
Nuk e di si e keni parë ndeshjen, por nuk është se jemi një ekip që mblidhemi te porta me 10 lojtarë. U munduam të ruanim rezultatin, pasi gjatë javës ekipi ka edhe probleme, dhe këto i dimë vetëm ne. Vjen një moment që më të rëndësishme janë pikët sesa spektakli.
Jeni sulmi më i mirë pas Skënderbeut në Superiore, me 17 gola të shënuar…
Mendoj që golat tregojnë që nuk jemi aq keq për sa i përket fazës sulmuese. Unë dua që të luajmë akoma më mirë, akoma më bukur. Terrenet janë të vështirë, por e theksova që në fund më i rëndësishëm është rezultati. Në qoftë se s’ka rezultate, është e vështirë ta përmirësosh lojën.



