Shkëmbi: Te Dinamo nuk ka presion, Air Albania emocion dhe detyrim!
Trajneri Bledi Shkëmbi doli këtë të premte në konferencë për shtyp për të analizuar sfidën që do të hapë javën e 7-të të Kategorisë Superiore mes Dinamos dhe Kukësit, me nëndetsen blu që do të luajë për herë të parë në këtë sezon në kryeqytet dhe për herë të parë në stadiumin e ri Air Albania. Një sfidë ndaj një kundërshtari të fortë siç e cilësoi Shkëmbi Kukësin, duke theksuar se tek skuadra e tij nuk ndihet aspak nën presion nga deklaratat e fundit të presidentit Bardhi.
Air Albania: “Kthimi në “Air Albania” do të thotë emocion dhe detyrim, të kemi më shumë tifozë. E dyta dhe më shumë e rëndësishmja është të rikthehemi mirë, të rikthehemi me fitore për të kënaqur të gjithë tifozët tanë”.
Pritshmëritë: “Presim të bëjmë maksimumin, të bëjmë ato që kemi folur. Në futboll duhet të kesh dhe një ditë të mirë dhe shpresoj ta kemi atë ditë”.
Kukësi: “Luajmë kundër një kundërshtari të fortë, të mirë që ka bërë mirë, kanë një sulm të mirë. Mendoj se kemi marrë masat e duhura që kundërshtari ato momentet që të ketë të ketë fatin jo të mirë pasi në futboll është e rëndësishme”.
Disfata si me Vllazninë: “Jam i bindur që nuk do të vij më pasi e thash pas ndeshjesh me Vllazninë, ishte përgjegjësi dhe gabimi i imi dhe nuk do të ndodhë më”.
Deklaratat e presidentit Bardhi: “Nuk mendoj që është presion. Më sakte mua dhe futbollistëve na pëlqen presioni pozitiv që vjen nga presidenca, të njëjtën dëshirë kemi dhe ne që Dinamo të jetë në luftën për titull ose minimum të luftojmë për Kupat e Europës. Të gjithë bashkë me presidentin do të bëjmë maksimumin, sidomos ne që jemi në fushë duke punuar çdo ditë dhe çdo ndeshje”.
Derbi: “Për frikë nuk kam pasur ndonjëherë frikë, as si trajner nuk kemi frikë. Jam I bindur që po mendojmë vetëm për Kukësin, pasi meriton vëmendje të madhe dhe nuk mendojmë për atë çka vjen pas Kukësit”.
Miqësorja e humbur me Kukësin: “Po patjetër që na ka ndihmuar, kemi parë dhe riparë videon e ndeshjes dhe ndeshjeve të tjera të Kukësit. Mendoj se e kemi përgatitur në mënyrën e duhur, por këtë duhet ta tregojmë në fushë”.
Formacioni: “Do të ketë ndryshime, por do ta vendosim sot pasi disa lojtarë janë ende në dyshim. Maliqi, Ali, Sofranac janë ende në dyshim po do të shohim pas stërvitjes së sotme”.
Gabimet e arbitrave: “Për mua nuk kanë qenë problem as sistemi VAR dhe as arbitri. N e mendojmë vetëm të bëjmë maksimumin tonë, në fund të ndeshjes bëhet analiza kush gabon, siç gabojnë lojtarët dhe trajnerët gabojnë dhe arbitrat. E keni vënë re besoj se ne jemi korrekt si klub nga ana e arbitrave”, u shpreh trajneri Shkëmbi.



