Shkëmbi: Vazhdojnë gabimet, duhet bëjmë më shumë në 30 metrat e fundit
Trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi ka folur në emisionin Gol Pas Goli në Supersport pas barazimit me Egnatian 1-1, teksa tekniku thekson se skuadra vazhdon të bëjë gabime ndërsa nga ana tjetër shton se të tijtë duhet të bëjnë më shumë në 30 metrat e fundit.
“Duhej të shënonim golin e dytë se e dinim që do ta kishim të vështirë. Vazhdojmë të gabojmë dhe të falim gola në çdo ndeshje dhe nuk di si mund ta rregullojmë këtë. Ekipi kundërshtar me një lojtar më pak ishte në pritje dhe nuk ishte e thjeshtë por në 30 metrat e fundit duhej të bënim më shumë. Kur nuk shënon, me fatin kundër dhe gabimet ndodh që të ndëshkohesh.
Në pjesën e parë deri në 70 metra e bëmë mirë qarkullimin, por në 30 metrat e fundit duhej të bënim më mirë dhe të shënonim golin e dytë. Ne nga stoli kemi dashur gjithnjë të luanim para dhe të shfrytëzonim superioritetin. Në pjesën e dytë patëm presionin e kundërshtarit dhe në gabimin e parë u ndëshkuam. Lojtarët u munduan, kemi brenda probleme fizike dhe duhet të bëjmë një analizë për ndeshjen e radhës se është e njëjta situatë dhe duhet të jemi të përqendruar”, u shpreh Shkëmbi.



