Shkëndija e Tetovës, gati për testin e fundit me Zorya Luhansk
Shkëndija do të zhvillojë një tjetër test miqësor këtë të hënë, me kundërshtar ekipin ukrainas, FC Zorya Luhansk. Sfida do të luhet me fillim në orën 17:00.
Kuqezinjtë kanë hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve verore në Kranjska Gora të Sllovenisë, ku ekipi po qëndron prej datës 16 qershor. Skuadra punon intensivisht për të pritur sa më e përgatitur ndeshjet e xhiros së parë eliminatore të UEFA Champions League kundër kampionit të Estonisë, Nõmme Kalju, më 9 dhe 16 korrik. Përveç seancave të rregullta stërvitore gjatë fazës përgatitore deri tani kuqezinjtë zhvilluan tre ndeshje kontrolluese (fitore 1-0 ndaj Olimpijas së Sllovenisë dhe MSK Zilina të Sllovakisë dhe humbje 1-0 nga Fastav Zlin nga Republika Çeke), ndërsa para kthimit për në Tetovë të paraparë më 2 korrik, ekipi do të zhvillojë ndeshjen e katërt dhe të fundit kontrolluese të paraparë për këtë fazë përgatitore.
Përgatitjet kanë shkuar sipas planifikimit, lojtarët me përpikëri kanë realizuar kërkesat dhe ngarkesat e vendosua nga stafi teknik, ndërsa për fat të mirë bilansi shëndetësor është pozitiv, pasi përveç Mevlan Muratin, që kishte një zgjatje të lehtë, asnjë futbollist tjetër nuk është ankuar në lëndim. Ekipi ka vijuar me dy seanca stërvitore edhe të dielën, ndërsa të hënën pason testi i fundit i kësaj faze.



