Shkëndija e Tetovës pranë firmës me një trajner nga Shqipëria
Pas më tepër se një muaji nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Erhan Selimi, drejtuesit e Shkëndijës së Tetovës duket se kanë vendosur t’i besojnë pankinën trajnerit shqiptar Ernest Gjoka, i cili pritet të zyrtarizohet në orët në vijim te kuqezinjtë.
Këta të fundit, pas dy titujve kampionë radhazi ,e nisën shumë keq kampionatin dhe në fillim të muajit shtator morën vendimin të shkarkojnë trajnerin Qatip Osmani, ndërsa gjatë kësaj kohe ekipi u drejtua nga Erhan Selimi.
Me këtë të fundit Shkëndija dha shenja ringjalljeje, duke fituar 3 ndeshje radhazi në kampionat, por rezultatet negative u rikthyen sërish dhe drejtuesit tashmë vendosën t’ia besojnë drejtimin ish trajnerit të Kukësit.
Momentalisht skuadra tetovare renditet në vendin e 6 me 11 pikë të grumbulluara në 9 javët e para dhe plot 9 pikë më pak se Vardari që kryeson Superligën në Maqedoninë Veriore. Megjithatë kampionati është i gjatë dhe ka shumë javë në dispozicion, ndaj synimi i kuqezinjve mbetet sërish titulli kampion.



