Shkëndija shumë e fortë edhe për rusët e Orenburg!
Pas fitoreve në miqësoret ndaj Renovës dhe zviceranëve të Grasshoppers(ndeshje e cila u ndërpre në minutat e fundit të pjesës së parë kur rezultati ishte 0-2 në favor të kuqezinjëve), Shkëndija e Tetovës ka treguar forcën edhe përballë rusëve të Orenburg. Në miqësoren e tretë në këtë minifazë përgatitore të dimrit të zhvilluar në Belek të Turqisë, skuadra e Qatip Osmanit fitoi me rezultatin e pastër 2-0 falë golave të Izair Eminit dhe Omar Imerit, nga një për çdo pjesë. Me kuqezinjtë në këtë duel debutuan edhe dy afrimet e merkatos së janarit, Agim Ibraimi dhe Zeni Husmani ndërkohë që vazhdon të mungojë për shkaqe dëmtimi sulmuesi kryesor i tetovarëve, Besart Ibraimi. Edhe pse përballë kishte skuadrën që renditet në vendin e 10-të të Premier League ruse, Shkëndija luajti më mirë se Orenburg dhe mori një fitore plotësisht të merituar.



