Shkupi gati për historinë, Sedloski-Demiri në kor: E njohim mirë Ballkanin, fitojmë me tifozët
Shkupi është gati për “derbin” me Ballkanin. Sfida e parë e raundit “play-off” në Conference League, do të luhet të enjten në Shkup (21:00) dhe do të transmetohet ekskluzivisht në SuperSport 2.
Trajneri i ekipit shqiptar që u shpall kampion në Maqedoninë e Veriut, Goce Sedloski foli në prononcimin për mediet përpara përballjes me kampionët e Kosovës, ku ndër të tjera tha:
“Sa i përket ndeshjes së nesërme sigurisht që duhet të luajmë mirë, të jemi të fokusuar në maksimum dhe të marrim rezultat pozitiv. Mendoj se jemi gati për një gjë të tillë dhe besoj se edhe futbollistët e mi do t’i kryejnë me sukses detyrat në fushë.
Ballkani? E njohim mirë kundërshtarin, i dimë cilësitë e tyre, pasi kemi zhvilluar një ndeshje miqësore me ata. Për ne kjo është një ndeshje historike, dhe ne duam të jemi pjesë e historisë”, deklaroi Sedloski.
Ndërkohë, edhe Besir Demiri komentoi ndeshjen me ekipin nga Suhareka. “E di për kualitetin e skuadrës së Ballkanit, por ne jemi të qetë, kemi punuar gjatë gjithë këtyre ditëve në mënyrë intensive me qëllim që të marrim një rezultat pozitiv.
Sigurisht që përparësi e jona është terreni vendas dhe tifozët, por nuk duhet të mashtrohemi nga kjo, sepse kjo ndeshje është vetëm njëra pjesë”, deklaroi mbrojtësi anësor nga Shkupi.
TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE
QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?



