Shkupi marshon drejt titullit, Shkëndija i falet Sidrit Gurit. Shtyhet Struga-Renova
Shkupi dhe Shkëndija e Tetovës morën fitoret e radhës në Maqedoninë e Veriut, teksa bora e dendur anuloi ndeshjen Struga-Renova. Shkupi triumfoi 0-3 kundër Borec së vendit të parafundit.
Bardhekaltrit kaluan në avantazh në pjesën e parë me anë të Sunday Adetunji (20’). Sulmuesi nigerian realizoi një tjetër gol në minutën e 70-të, duke u ngjitur në shifrën e nëntë golave në kampionat.

Tre minuta nga fundit pati festë edhe për Marko Gjorgjievski, i cili vulosi fitoren me “tris” të Shkupit, që kryeson me 42 pikë, shtatë më shumë se Akademija Pandev dhe tetë mbi Shkëndijën.
Kuqezinjtë nga Tetova fituan 1-0 në shtëpi ndaj FK Skopje. Sidrit Guri ishte autori i golit të fitores 20 minuta përpara fundit të ndeshjes. Sulmuesi shkodran është ngjitur në kuotën e 7 golave sezonalë me Shkëndijën.

Në Strugë ra borë e dendur gjatë gjithë ditës, çka detyroi drejtuesit të shtyjnë takimin Struga-Renova. Vendimi është marrë dhe dy ekipet shqiptare do të ndeshen mes tyre ditën e martë, duke nisur prej orës 13:00.



