Futboll

Shkurt/ Al Hilal fiton Championsin aziatik, Perisic drejt kthimit në Bundesligë

Për herë të katërt në histori, ekipi nga Arabia Saudite, Al Hilal, kurorëzohet “mbret” i Azisë në futboll. Ekipi i drejtuar nga Leonardo Jardim triumfoi në finalen e Champions League për zonën e Azisë, teksa mundi rivalët e Pohang Stelers, ekipin nga Koreja e Jugut. Me duelin e përcaktuar prej kohësh për t’u luajtur në Riyad, Al Hilal dominoi dhe fitoi 2-0 falë një supergoli të Al Dawsari vetëm pas 16 sekondash lojë dhe golit tjetër të shënuar nga Moussa Marega. Për Al Hilal është trofeu i katërt pas sukseseve të arritura në vitet 1991, 2000 dhe 2019. Tashmë kjo skuadër fiton të drejtën për të luajtur në Botërorin e Klubeve.

 

Ivan Perisiç mendon rikthimin në Bundesligë. Pas 5 sezonesh me zikaltrit, me të cilët arriti të shpallej kampion, kroati nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën dhe synon një aventurë të re në Gjermani, përpara se të rikthehet më vonë në vendlindje, për të mbyllur karrierën. Për kroatin ka ende admirues nga kampionati ku u bë i njohur dhe janë Dortmundi me Wolfsburgun në garë për shërbimet e tij. Për momentin, verdhezinjtë janë në avantazh, pasi e kanë të siguruar një vend në Europë, ndërsa Wolfsburgu mund të nisë bisedimet vetëm pasi të sigurojë kualifikimin në kompeticionet e ardhshme.

Atletico Madrid dhe Simeone po kërkojnë mundësi të reja në merkato për të përforcuar sulmin. Duke parë edhe moshën e Luis Suarezit, 35 vjeç tashmë, trajneri argjentinas kërkon një lojtar goli, teksa ka hedhur sytë nga Darwin Nunez. Uruguaiani, vetëm 22 vjeç, po impresionon me fanellën e Benficës me 8 gola dhe 2 asiste deri tani ku ka tërhequr vëmendjen edhe të Barcelonës me Juventusin. Benfica e bleu 24 mln euro një vit më parë lojtarin nga Almeria, ndërsa tani kërkon të paktën 50 mln për ta lënë të lirë.

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency