Shkurt/ Atl. Madrid kërkon sulmuesin e Alaves, Milan futet në merkato për mbrojtës
Atl. Madrid synon firmën me sulmuesin e Alavesit
Atl. Madrid ka nevojë për një përforcim në sulm në merkaton e dimrit por goditja nuk do të jetë sensacionale për shkak edhe të vështirësive financiare. Siç shkruajnë mediat spanjolle, Atl. Madrid po mendon për një alternative për Luis Suarez dhe emri i zgjedhur është Joselu, 31-vjeçari që ka shënuar 7 gola deri tani me Alaves këtë sezon në La Liga. Simeone e vlerëson lojtarin pasi ka eksperiencë të madhe në futbollin spanjoll e gjithashtu për ta marrë nga Alaves do të mjaftojnë 5 milionë Euro.
Sergio Rico përgatit largimin nga PSG-ja
Kur dy portierë të mëdhenj si Keylor Navas dhe Donnarumma rivalizojnë për një vend si titullar, atëherë nuk ka vend për një të tretë. I tillë është edhe fati i Sergio Ricos, portierit spanjoll që as nuk ka shans të luajë me parizienët për shkak të konkurrencën shumë të fortë ndaj dhe në Janar do të bëjë gati valixhet. Për 28-vjeçarin interesi më i madh vjen nga ekipet spanjolle ku Valencia, Sevilla apo Betis mund ta afrojnë por vetëm në formë huazimi.
Dëmtimi i Kjaer fut Milanin në merkato
Milani është i detyruar të rikthehet në merkato në Janar. Kuqezinjtë për shkak të impenjimeve të shumta por tani edhe pas disa dëmtimeve të shpeshta në repartin e prapavijës po shikon për emra të mundshëm për të afruar në mbrojtje. Duke parë se dëmtimi i Kjaer është serioz me lojtarin danez që u shfaq me paterica duke ecur e gjithashtu edhe problemet me Calabrian, atëherë Maldini mund të detyrohet të bëjë 2 dhe jo një goditje në mbrojtje në Janar.
Newcastle synon afrimin e Aarons për mbrojtjen
Në pamundësi për të blerë emra të mëdhenj, Newcastle që ka para për të shpenzuar në Janar po tenton të bindë lojtarë të rinj e të talentuar. Drejtuesit kanë shënjestruar për merkaton e Janarit, Max Aarons, mbrojtësin e Norwich që konsiderohet si një nga futbollistët më premtues për vitet e ardhshme. 21-vjeçari është mbrojtës i djathtë e mund të bëjë edhe të majtin por për ta shkëputur nga Norwich, nevojiten të paktën 25 mln Paund e për më tepër duhet të mposhtë edhe konkurrencën e Man. United.



